A ia vlen të rivihet në punë ARMO?

Shtrenjtimi i çmimit të naftës në tregun e pakicë, e ndikuar nga ndryshimet e shitjes së produktit në bursa, rikthen debatin nëse duhet të rindërtohet dhe të vihet në punë rafineria e shkatërruar e naftës në Ballsh.

Ish-drejtuesi i rafinerisë ARMO për vitet 2003-2005, Përparim Hajnaj, thekson se ndërtimi i një rafinerie moderne në Ballsh ose pranë bregdetit është i mundshëm dhe i domosdoshëm për ekonominë shqiptare. Sipas tij, nafta bruto që prodhohet në vend mund të përpunohet për prodhimin e bitumit, vajgurit për avionë dhe karburanteve për tregun vendas, duke ulur varësinë nga importet dhe duke krijuar një rezervë strategjike të kontrolluar.

“Rafineria e përpunimit të naftës në Ballsh është e shkatërruar. Pas vitit 2005, qeveria duhej të kishte bërë një planifikim për ndërtimin ose modernizimin e një rafinerie në Ballsh, me qëllim përpunimin e naftës për konsum në tregun vendas. Ky do të ishte i vetmi shpëtim për raste krizash për industrinë dhe konsumatorët vendas.

Ne prodhonim naftë të cilësisë D2 dhe jo D1, pasi përdorej teknologji e vjetër kineze. Sot nuk kemi asnjë litër përpunim në vend, gjë që e bën çështje e rindërtimit të një rafinerie shumë të domosdoshme.

Shteti mund të mos e realizojë vetë, por rafineria mund të ndërtohet me koncesion.

Nafta jonë është e rëndë dhe e trashë, pasi përmban të gjithë elementet e një hidrokarburi nëntokësor. Nëse ka rafineri për përpunim, mund të prodhohen: bitum për rrugë; vajguri për avionë; karburante për tregun vendas.

Rafineria mund të ndërtohet në Ballsh ose pranë bregdetit, për të lehtësuar transportin. Nafta bruto shitet nga të gjithë dhe mund të sillet për përpunim në vend. Kjo është domosdoshmëri. Nëse nuk realizohet në bashkëpunim me privatin, projekti mund të realizohet edhe nga vetë shteti dhe kostoja është e përballueshme”.

Por Pano Soko, ekspert për çështjet e ekonomisë dhe hidrokarbureve, thotë të kundërtën. Sipas tij, rikthimi i rafinerisë është i pamundur për shkak të kostos së lartë, që llogaritet mbi 130 milionë USD dhe i paleverdishëm në kushtet e zhvillimit afatgjatë të sektorit, rritjes së përdorimit të makinave elektrike, burimeve të rinovueshme etj.

Përveç forcimit të prodhimit vendas, Përparim Hajnaj nënvizon të domosdoshme në këtë situatë, edhe rëndësinë e krijimit të rezervave strategjike.

“Në rast lufte apo emergjencash civile, të gjitha shtetet në Europë, pa përjashtim, përfshirë edhe Shqipërinë, grosistët janë të detyruara që të mbajnë fizikisht 35–40% të karburanteve në rezervë, me qëllim që të mos ketë mungesa në treg. Kjo sasi duhet të jetë rezervë strategjike për mbijetesë dhe nuk duhet të preket, pra që përdoret nga forcat ushtarake, ambulancat, spitalet etj.”

Sa e zgjidh çështjen e çmimeve ngritja e një kompanie shtetërore për tregtinë me shumicë të naftës

Por a ka në plan qeveria të rindërtojë rafinerinë e përpunimit të naftës vendase? Kryeministri Edi Rama, i pyetur nga gazetarët në një konferencë për shtyp, tha se kjo çështje është e pamundur të realizohet për shkak të kostove të larta.

Përveç krijimit të Bordit të Transparencës së Hidrokarbureve gjatë periudhës së situatës së veçantë, Këshilli i Ministrave njoftoi se shumë shpejt do të prezantohet legjislacioni për krijimin e një operatori shtetëror që do të tregtojë naftë me shumicë për tregtarët vendas. Qëllimi kryesor i këtij operatori është mbajtja nën kontroll e çmimeve, të cilat mund të ndryshojnë ndjeshëm gjatë luftërave apo krizave ndërkombëtare.

Por ngritja e një operatori shtetëror për tregtimin me shumicë të naftës shihet me skepticizëm nga aktorët e tregut. Sipas kryetarit të Shoqatës së Hidrokarbureve, Luigj Aliaj, mbajtja e një çmimi më të ulët nga shteti do të ishte e vështirë, për shkak se nafta tregtohet në bursat ndërkombëtare dhe çmimi i saj përcaktohet nga faktorë globalë.

Eksperti i ekonomisë, Pano Soko, shpjegon se përfshirja e sektorit shtetëror mund të ndikojë në kontrollin e çmimeve duke garantuar respektimin e parimeve të tregut të lirë. Sipas tij, një operator shtetëror do të zgjidhë një sërë abuzimesh.

“E para, duke mos abuzuar. I paudhëhequr nga nevoja për maksimizim fitimi, një operator shtetëror nuk do të ketë nevojë të mashtrojë me kostot dhe marzhet e ndërhyrjes në çmim.

E dyta, duke respektuar parimin e elasticitetit të çmimeve që ndjekin trajektoren e kostove, pra kur kostot ulen, çmimi ulet dhe anasjelltas.

E treta, duke mos abuzuar me cilësinë e naftës dhe me sasitë e furnizuara në pompë.

Të mos abuzojë me kostot dhe marzhet e ndërhyrjes në çmim, pasi nuk ka nevojë për maksimizim fitimi. Të respektojë parimin e elasticitetit të çmimeve, duke i lidhur ato me koston reale. Të sigurojë cilësi të standardizuar të naftës dhe sasitë e furnizuara”.

Një tjetër përfitim i prezantimit të operatorit shtetëror është reflektimi i uljeve të taksave në çmim. Sipas z. Soko, aktualisht, disa kompani private shpesh nuk e transferojnë uljen e taksave te konsumatori për të maksimizuar fitimin, por me një aktor shtetëror në treg, qeveria garanton që të paktën një operator do të respektojë këtë qëllim, ndërkohë që aktorët e tjerë privatë do të ndjekin shembullin ose do të dalin nga tregu.

Ai thekson se ndërhyrja është e jashtëzakonshme, por e domosdoshme për tregun e naftës, i cili nuk arriti të vetërregullohej si sektori i mallrave ushqimore. “Prezantimi i operatorit shtetëror është parë si një hap i parë i rëndësishëm për të futur tregun e naftës në parimet e konkurrencës së lirë dhe për të garantuar stabilitetin ekonomik”, – vlerësoi ai./Monitor.al

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top