Dosja Veliaj/ GJKKO shtyn vendimin për Elman Abulen, SPAK kërkon mbi 4 vite burg

Gjykata e Posaçme ka shtyrë për nesër shpalljen e vendimit për biznesmenin Elman Abule dhe të pandehurit e tjerë në fraksionin e dosjes së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Shkak për shtyrjen është bërë nevoja e trupit gjykues për më shumë kohë për shqyrtimin e prapësimeve me shkrim të depozituara nga të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre.

Vendimi, i cili ishte parashikuar të shpallej këtë të mërkurë, do të jepet nesër, më 26 nëntor, në orën 15:30.

Biznesmeni Elman Abule, i cili ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, ishte paraqitur sot në ambientet e Gjykatës së Posaçme në pritje të vendimit.

Në këtë fraksion të dosjes janë marrë të pandehur tetë persona dhe tri shoqëri tregtare, ndërsa procesi po zhvillohet me procedurën e gjykimit të shkurtuar.

Më 10 nëntor, GJKKO përfundoi shqyrtimin e kundërshtimeve të të pandehurve dhe avokatëve mbrojtës. Megjithatë, gjykata ka vlerësuar se i nevojitet kohë shtesë për shqyrtimin e argumenteve të paraqitura me shkrim përpara se të marrë vendimin përfundimtar.

Në pretencën e dhënë më 3 qershor, Prokuroria e Posaçme kërkoi në total 28 vite burg për gjashtë të pandehur, si dhe dënimin me gjobë të tri shoqërive tregtare.

Elman Abule është i vetmi nga të pandehurit për të cilin SPAK ka kërkuar vuajtjen e dënimit në burg. Për biznesmenin, prokuroria ka kërkuar 7 vite burgim, që me aplikimin e gjykimit të shkurtuar reduktohen në 4 vite e 8 muaj.

Abule akuzohet për pastrim parash. Sipas SPAK, nëpërmjet kompanisë së tij “Rametal”, biznesmeni dyshohet se ka ndihmuar në qarkullimin e parave drejt subjekteve të lidhura me Ajola Xoxën, bashkëshorten e kryebashkiakut Erion Veliaj, duke përdorur fatura të dyshuara si fiktive.

Për Ina Goxhajn, ish-drejtoreshë ekzekutive e organizatës jofitimprurëse “BYL-A”, SPAK ka kërkuar gjithashtu 7 vite burg, që me gjykim të shkurtuar zbresin në 4 vite e 8 muaj. Por, ndryshe nga Abule, për Goxhajn prokuroria ka kërkuar pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vënien në shërbim prove.

Goxhaj akuzohet për korrupsion aktiv dhe pastrim parash. Sipas hetimeve të SPAK, organizata “BYL-A” drejtohej faktikisht nga Ajola Xoxa, ndërsa Goxhaj figuronte zyrtarisht në krye të saj. Në fokus të hetimeve kanë qenë fondet e përfituara nga institucionet publike për organizimin e aktiviteteve kulturore.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top