Pa datë skadence dhe pa analizë për aflatoksinën, AKU refuzon 25 ton produkte gruri

25 ton produkte gruri janë refuzuar në Pikën e Inspektimit Kufitar në Morinë dhe do të kthehen në Kosovë, pasi gjatë kontrolleve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit janë konstatuar një sërë problematikash me dokumentacionin dhe etiketimin.

Sipas njoftimit zyrtar të AKU-së, bëhet fjalë për një ngarkesë të importuar nga subjekti “Mirela Bërdufi”, që përfshinte 7 ton miell gruri të tipit 400 dhe 500, si dhe 18 ton produkt të deklaruar si “Hime gruri”.

Gjatë verifikimeve në PIK Morinë, inspektorët kanë konstatuar mungesa të theksuara në dokumentacionin shoqërues të produkteve. Për pjesën më të madhe të ngarkesës me miell gruri, data e prodhimit dhe ajo e skadencës nuk ishin të lexueshme.

Po ashtu, niveli i proteinave i deklaruar në ambalazh nuk përputhej me të dhënat në dokumentacion, ndërsa mungonin numri i lotit (LOT) dhe fleta e analizës për aflatoksinën.

Problematika është konstatuar edhe te produkti “Hime gruri”, ku mungonte numri i lotit në etiketa, duke mos mundësuar identifikimin dhe lidhjen e produktit me dokumentacionin shoqërues.

Përballë këtyre shkeljeve, AKU ka vendosur refuzimin në kufi të ngarkesës dhe kthimin e saj në vendin e origjinës, Kosovë.

Ndërkohë, në kuadër të kontrolleve gjatë muajit nëntor 2026, AKU ka raportuar gjithsej tri ngarkesa të refuzuara në kufi. Dy raste të tjera janë evidentuar gjithashtu në PIK Durrës, ku janë bllokuar 54 ton mish pule me origjinë nga Brazili, të importuara nga subjekti “ZICO sh.a.”, për shkak të mospërputhjes së të dhënave të certifikatave shoqëruese me informacionin në sistem.

Sipas autoritetit, gjatë nëntorit në pikat e inspektimit kufitar janë kontrolluar 5,277 ngarkesa, ndërsa janë marrë 167 mostra për analiza laboratorike, nga të cilat nuk janë evidentuar raste jokonforme deri më tani.

AKU thekson se mbetet e angazhuar në kontrollet kufitare për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top