Koreja e Veriut ka kërkuar të mërkurën mbylljen e zyrës së re diplomatike të Zvicrës në Phenian dhe ka urdhëruar diplomatin e lartë që e drejton atë të largohet nga vendi brenda 48 orëve.
Një ditë më parë, Kim Yo Jong, motra me ndikim e udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka kërcënuar me mbylljen e zyrës dhe ka dënuar Zvicrën për vendosjen e sanksioneve ndaj një kampi rinor në lindje të Koresë së Veriut, për shkak të rolit të pretenduar të tij në transferimin e fëmijëve nga zonat e Ukrainës të pushtuara nga Rusia.
Mediat vendase kanë raportuar se një zyrtar i lartë i ministrisë së Jashtme ka thirrur Astier Sylvain, drejtuesin e zyrës diplomatike zvicerane, e cila u hap në Phenian muajin e kaluar, dhe i ka dorëzuar një njoftim ku kërkohej mbyllja e zyrës dhe largimi i tij, në shenjë proteste ndaj sanksioneve zvicerane kundër Kampit Ndërkombëtar të Fëmijëve Songdowon. Sipas raportimit, ministria e ka shpallur Sylvain person non grata.
Kim Yo Jong, një nga zyrtaret më të larta të Phenianit në fushën e politikës së jashtme, i ka cilësuar sanksionet zvicerane si një “akt të hapur armiqësor” dhe shkelje të sovranitetit të Koresë së Veriut, në deklaratën e saj të martën.
Ajo ka pretenduar se kampi në qytetin bregdetar Wonsan mbështeste bashkëpunimin “legjitim” mes Koresë së Veriut dhe Rusisë, por nuk iu referua drejtpërdrejt akuzave perëndimore se disa fëmijë ukrainas, të rrëmbyer nga forcat ruse, ishin dërguar atje për t’u riedukuar.
Koreja e Veriut është rreshtuar ngushtë me Rusinë në lidhje me luftën në Ukrainë. Vitet e fundit, ajo ka dërguar mijëra trupa dhe sasi të mëdha armësh për të mbështetur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës nga presidenti rus Vladimir Putin, me gjasë në këmbim të ndihmës dhe transferimit të teknologjisë ushtarake.
Forcimi i lidhjeve me Moskën dhe Pekinin ka qenë një nga faktorët kryesorë që kanë nxitur politikën e jashtme gjithnjë e më të vendosur të Kim Jong Unit, i cili synon të dalë më tej nga izolimi dhe ta pozicionojë Korenë e Veriut si pjesë të një fronti të përbashkët kundër Washingtonit.
Ministri i Jashtëm zviceran, Ignazio Cassis, ka udhëtuar drejt Koresë së Veriut në fund të tetorit, në kohën kur Zvicra hapi zyrën diplomatike në Phenian.
Në fillim të këtij muaji, autoritetet zvicerane e kanë përfshirë kampin Songdoëon në listën më të gjerë të sanksioneve të lidhura me pushtimin rus të Ukrainës. Sipas tyre, ky institucion merr pjesë në programe që përfshijnë transferimin e fëmijëve ukrainas nga territoret e pushtuara nga Rusia drejt Koresë së Veriut, ku ata ekspozohen ndaj propagandës dhe aktiviteteve që synojnë të përhapin narrativa pro-ruse.
Mbretëria e Bashkuar, në maj, dhe Bashkimi Evropian, në shtator, kanë vendosur sanksione të ngjashme ndaj kampit Songdowon, duke ngrirë asetet e tij dhe duke ndaluar transaksionet financiare me këtë institucion. Megjithatë, ndikimi praktik i këtyre masave mbetet i paqartë, duke pasur parasysh lidhjet e kufizuara financiare të Koresë së Veriut me vendet evropiane.
Zvicra ka vendosur marrëdhënie diplomatike me Korenë e Veriut në vitin 1974 dhe është një nga vendet e pakta perëndimore që vazhdon të mbajë dialog me këtë shtet. Sipas raportimeve, si Kim Jong Un, ashtu edhe Kim Yo Jong, kanë ndjekur shkollën në Zvicër gjatë adoleshencës së tyre, në vitet 1990.