Ka përfunduar protesta e 175-të e organizuar nga studentët në Tiranë, e cila u shoqërua me marshime në disa rrugë të kryeqytetit, bllokime të qarkullimit dhe djegien e kazanëve të mbeturinave. Tubimi nisi përpara Ministrisë së Arsimit, në Rrugën e Durrësit, ku protestuesit bllokuan përkohësisht lëvizjen e automjeteve. Më pas, studentët dhe qytetarët nisën marshimin, duke ndryshuar disa herë itinerarin.
Në Rrugën e Kavajës, turma u përball me një kordon policor që pengoi vijimin e marshimit, duke i detyruar protestuesit të ktheheshin drejt qendrës së qytetit. Gjatë protestës, disa kazanë mbeturinash u përfshinë nga flakët, ndërsa Policia mbajti të bllokuara disa akse për të kontrolluar lëvizjen e turmës. Marshimi përfundoi pranë Kryeministrisë, ku protestuesit u grumbulluan përpara mbylljes së tubimit.