Debat i ashpër në Komisionin e Ekonomisë/ Braçe: Në bulevard janë vrarë njerëz me urdhër dhe askush nuk mban përgjegjësi

Dëmet e shkaktuara gjatë protestave në Tiranë dhe përgjegjësia për kompensimin e tyre kanë shkaktuar debate të forta në Komisionin e Ekonomisë, mes deputetit socialist Erion Braçe dhe deputetit demokrat Igli Cara. Braçe kërkoi që personat që kanë shkaktuar dëme në bizneset private dhe infrastrukturën publike të identifikohen dhe të mbajnë përgjegjësi ligjore. Ai solli në vëmendje dëmtimin e semaforëve në kryeqytet, duke theksuar se nuk mund të jetë gjithmonë Bashkia ajo që përballon kostot e dëmeve të shkaktuara gjatë protestave.

Por diskutimi mori tone më të forta kur deputeti socialist përmendi edhe ngjarjet e 21 Janarit, duke thënë se në bulevrad janë vrarë njerëz. Nga ana tjetër, deputeti demokrat Igli Cara e akuzoi mazhorancën për standarde të dyfishta. Kjo duke theksuar se në të njëjtën kohë që kërkon dëmshpërblimin e bizneseve dhe infrastrukturës, duhet të marrë përgjegjësi edhe për protestuesit e lënduar gjatë ndërhyrjeve të policisë.

Në debat ndërhyri edhe deputetja socialiste Milva Ekonomi, e cila argumentoi se legjislacioni parashikon ndëshkimin e personave që shkaktojnë dëme gjatë protestave. Ajo theksoi se institucionet shëndetësore kanë ofruar trajtim si për efektivët e policisë, ashtu edhe për protestuesit e lënduar.

Pjesë nga diskutimi:

Igli Cara: Të dëmshpërblehen bizneset, por edhe të dëmtuarit nga represioni i qeverisë. Pse me dy standarde, zoti Braçe? Akoma nuk keni mbyllur bonusin e qirasë dhe Rindërtimin, keni gojë edhe të flisni. Të paktën heshtni! Sot shqiptarët po largohen dhe sipas INSTAT-it ka një pakësim të frikshëm të qytetarëve. Nuk shihni shkakun, por pasojën, që është protesta. Nuk merrni masa për vjedhjen e miliarda eurove në buxhet dhe flisni për protesta. Po për dëmin shëndetësor të protestuesve, për këmbët e thyera, për syrin e Erjon Vishkullit, do të ketë akte normative për këto?

Erion Braçe: Protesta është një e drejtë e garantuar. Nuk mendoj që protesta është dhunë, aq më tepër ndaj bizneseve dhe infrastrukturës publike, private dhe shtetërore. Prej një muaji, rrugët e Tiranës janë pa semaforë. Nuk mund të paguajë Bashkia për çdo gjë, as ajo kompania në këtë rast. Pastrimi në qytet është jetik, nuk mund të presim përjetësisht për rikuperimin e infrastrukturës. Siç përdorni fondin rezervë në raste të tjera, duhet përdorur edhe në këtë rast. A janë evidentuar ata që kanë shkaktuar dëme? Duhen futur në hullinë e ligjit dhunuesit. Kanë mbajtur përgjegjësi protestuesit, por nuk kanë mbajtur përgjegjësi ata nga ana e shtetit. Qesh zotëria se e ka engledisje pasditen, por në bulevard janë vrarë njerëz me urdhër dhe nuk mban njeri përgjegjësi, sepse dhuna ngatërrohet me protestën.

Milva Ekonomi: Kemi kaluar disa ligje dhe disa ndryshime që parashikojnë se dëmtuesi duhet të penalizohet dhe të mbajë përgjegjësi për dëmin që shkakton. Regjistrat, gjobat dhe ndalimi nga policia janë instrumente që funksionojnë. Dua të shtoj që në protestat e dhunshme janë dëmtuar më shumë policë dhe protestues, ndryshe nga vendet e tjera europiane. Spitalet tona kanë qenë të hapura për të dëmtuarit, si për policët, ashtu edhe për protestuesit. Janë trajtuar si te Trauma, ashtu edhe te Nënë Tereza. Djali që ka dëmtuar syrin shkoi në Itali me paratë dhe ndërhyrjen e shtetit. Kjo tregon që shteti mori përgjegjësi për mbrojtjen e tij, edhe pse djali ishte me vullnet të lirë me protestuesit. Kur je te dhuna, duhet të tregosh kujdes, sepse dhuna është e shkëmbyeshme.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top