Kryeministri Edi Rama është nderuar në Bruksel me çmimin “CER Lord Jakobovits”, të dhënë nga Konferenca e Rabinëve Evropianë. Lajmin e bëri të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale, ku e cilësoi vlerësimin për tolerancën dhe dialogun ndërfetar si një kontribut për profilin ndërkombëtar të Shqipërisë.
“Bruksel, Belgjikë – I nderuar me Çmimin CER Lord Jakobovits për kontributin në promovimin e tolerancës dhe dialogut ndërfetar, një çmim europian që forcon profilin e Shqipërisë”, shkroi Rama.
Çmimi, i krijuar në vitin 2011, u jepet personaliteteve që kanë mbështetur komunitetet hebraike në Evropë, kanë mbrojtur të drejtat e tyre fetare dhe kanë luftuar antisemitizmin. Ai mban emrin e Lord Immanuel Jakobovits, ish-president i Konferencës së Rabinëve Evropianë.
Vlerësimi vjen pas një sërë nismash të qeverisë shqiptare për forcimin e marrëdhënieve me Izraelin.
Rama ka ruajtur marrëdhënie të afërta politike me Benjamin Netanjahun edhe gjatë luftës në Gaza. Në vizitën e 26 janarit 2026 në Jerusalem, ai riafirmoi mbështetjen për Izraelin, dënoi Hamasin dhe theksoi qëndrimin në krah të pengjeve izraelite dhe familjeve të tyre. Në të njëjtën vizitë, Netanjahu e falënderoi publikisht për mbështetjen e Shqipërisë në forumet ndërkombëtare.
Ky afrim ka vijuar pavarësisht masakrave të civilëve dhe shkatërrimeve në Gaza të dënuara gjerësisht në Bashkimin Europian. Në shtator të vitit 2025, Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar Hetimor i OKB-së arriti në përfundimin se Izraeli kishte kryer gjenocid ndaj palestinezëve në Gaza, përfundim që Izraeli e kundërshtoi.
Nga ana e tij, Rama ka shprehur edhe mbështetje për përpjekjet për paqe, përfshirë planin amerikan për Gazën, dhe ka deklaruar gatishmërinë e Shqipërisë për të kontribuar në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit të Bordit të Paqes.
Marrëdhëniet mes dy qeverive janë zgjeruar edhe në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Më shtator 2026, Këshilli i Ministrave miratoi në parim edhe një marrëveshje për bashkëpunimin e përgjithshëm mes qeverisë shqiptare dhe asaj izraelite, një vendim që përfaqëson një hap tjetër në zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe.