Milan Radoiçiçi dyshohet së është arratisur drejt Moskës, mungon në policinë e Beogradit

Milan Radoiçiçi, ish-nënkryetari i Listës Serbe që mori përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur në Banjskë, dyshohet se është larguar nga Serbia drejt Moskës.

Dyshimet janë shtuar pasi mediat serbe raportojnë se ai nuk u paraqit më 15 nëntor në stacionin e policisë në Savski Venac të Beogradit, duke mos përmbushur detyrimin e vendosur nga gjykata.

Radoiçiçit i është ndaluar largimi nga Serbia dhe pasaporta e tij mbahet nga Gjykata e Lartë në Beograd. Ai duhet të paraqitet në polici dy herë në muaj, më datat 1 dhe 15, për të konfirmuar se vijon të qëndrojë në vendbanimin e regjistruar.

Deri tani ai e kishte respektuar këtë detyrim. Paraqitja e tij e fundit e dokumentuar ishte më 1 nëntor.

Informacionet për largimin drejt Moskës
Mungesa e Radoiçiçit në polici ishte paralajmëruar nga Milan Zvezdanoviç, ish-inspektor i pavarur i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë, BIA.

Më 13 nëntor, Zvezdanoviçi tha për televizionin N1 se kishte informacione jozyrtare nga kjo agjenci, sipas të cilave Radoiçiçi ishte larguar nga Serbia një ditë më parë dhe kishte shkuar në Moskë.

I pyetur nëse largimi ishte bërë në mënyrë të ligjshme, ai u përgjigj: “Ai nuk kishte nevojë për leje”.

Kështu, vendndodhja e tij mbetet e paqartë. Informacioni për udhëtimin drejt Moskës është ende jozyrtar, ndërsa mungesa në polici, e raportuar nga BIRN, ngre pikëpyetje për respektimin e kufizimeve të vendosura nga gjykata.

Nga drejtimi i Listës Serbe te organizimi i grupit në Banjskë
Radoiçiçi ishte nënkryetar i Listës Serbe, forcës politike që përfaqëson serbët e Kosovës dhe mbështetet nga Beogradi. Emri i tij u vendos në qendër të vëmendjes pas sulmit të armatosur të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, pranë Zveçanit, në veri të Kosovës.

Atë ditë, një grup serbësh të armatosur qëlluan me armë drejt policisë së Kosovës duke lënë të vrarë policin Afrim Bunjaku, ndërsa gjatë përleshjeve u vranë edhe tre pjesëtarë të grupit të serbëve: Stefan Nedeljkoviç, Bojan Mijailoviç dhe Igor Milenkoviç.

Disa ditë pas sulmit, Radoiçiçi mori përgjegjësinë për organizimin e grupit. Deklarata e tij u lexua para gazetarëve nga avokati Goran Petronijeviç. Pas kësaj, ai dha dorëheqjen nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe.

Pranimi i rolit në organizimin e grupit e bëri Radoiçiçin figurën qendrore të çështjes. Në shtator të vitit 2024, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj tij dhe 44 personave të tjerë për sulmin në Banjskë.

Gjykata Themelore në Prishtinë lëshoi urdhërarreste ndërkombëtare ndaj tij dhe të akuzuarve të tjerë që nuk janë kapur, por rrëzoi kërkesën për gjykimin e tyre në mungesë.

Radoiçiçi ndodhet gjithashtu nën sanksionet e Departamentit amerikan të Thesarit që prej dhjetorit të vitit 2021.

Policia serbe e ndaloi Radoiçiçin më 3 tetor 2023. Ai u mor në pyetje nga Prokuroria e Lartë Publike në Beograd dhe mohoi kryerjen e veprave penale për të cilat dyshohej.

Hetimi në Serbi lidhet me dyshimet për bashkim me qëllim kryerjen e veprave penale, prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim të paligjshëm të armëve dhe lëndëve shpërthyese, si dhe vepra të rënda penale kundër sigurisë së përgjithshme.

Prokuroria kërkoi paraburgimin, duke argumentuar se ekzistonte rreziku i arratisjes. Gjykata e Lartë në Beograd e rrëzoi kërkesën dhe vendosi masa më të lehta: ndalimin e largimit nga Serbia dhe të udhëtimit drejt Kosovës pa leje, marrjen e pasaportës dhe paraqitjen periodike në polici.

Këto masa u zgjatën për herë të fundit më 30 shtator 2026.

Më shumë se tre vjet pas sulmit në Banjskë, hetimi në Beograd vijon ende pa aktakuzë. Drejtuesi i Prokurorisë së Lartë Publike, Nenad Stefanoviç, kishte paralajmëruar se vendimi për ngritjen e saj do të merrej në fund të vitit 2024 ose në fillim të vitit 2025.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top