Miga i rreh të gjitha gjatë finales së kampionatit Paulista: e pëson edhe arbitrja, denoncim në polici

Kampionati Paulista i futbollit për femra U-20 është mbyllur me triumfin e Ferroviarias ndaj Corinthians, por finalja rrezikon seriozisht të mos ketë përfunduar ende dhe të vazhdojë në sallat e gjyqit. Për fat të keq, ndeshja në Brazil mund të ketë pasoja ligjore pas përleshjes së dhunshme ku u përfshinë futbolliste, trajnere dhe pjesëtare të stafit. Protagonistja kryesore ishte Miga, e cila doli plotësisht jashtë kontrollit, sikur të ishte përfshirë nga një shpërthim i vërtetë nervash, që përfundoi me goditje të forta në të gjitha drejtimet. Ajo ishte aq e tërbuar, sa rrezikoi të godiste edhe shoqet e skuadrës që përpiqeshin ta qetësonin.

Rreth 15 minuta përpara përfundimit të ndeshjes, Ana Carla Vitoria Vianna Lima (ky është emri i vërtetë i Migas), pavarësisht se skuadra e saj ishte në avantazh, u vërsul ndaj një kundërshtareje pasi kishte pësuar dy faulle. Fillimisht e goditi me një shkelm të lehtë, ndërsa më pas, pas reagimit të Gabi Jordit, situata doli plotësisht jashtë kontrollit. Shkelma, shtyrje dhe përpjekje për të goditur me grushte tërhoqën vëmendjen e të gjitha futbollisteve të tjera, të cilat u përpoqën të ndërhynin: nga njëra anë ato që kërkonin të merrnin hak për Jordy, ndërsa nga ana tjetër ato që përpiqeshin të rikthenin normalitetin. Një skenë e tensionuar, ku arbitra Jessica Milani u përpoq ta ndalte futbollisten Miga duke e kapur nga qafa, por pa sukses, për shkak të epërsisë së madhe fizike të saj. Edhe vetë arbitrja u përfshi në përleshje dhe përfundoi duke u tërhequr zvarrë.

Miga, falë fizikut të saj imponues, arriti të shkëputej nga disa kundërshtare dhe goditi drejtpërdrejt në fytyrë Melin, e cila po përpiqej vetëm të qetësonte gjakrat. Një grusht i fuqishëm në fytyrë, që e rrëzoi përtokë futbollisten e Corinthians. U dhanë disa kartonë të kuq. U deshën disa minuta përpara se ndeshja të rifillonte dhe të rikthehej qetësia në fushë, megjithëse ngjarja nuk përfundoi aty, pasi të dy klubet duket se janë të gatshme të bëjnë kallëzime.

Corinthians do të paraqesë një kallëzim në polici për sulmin e Migas ndaj futbollisteve të saj. Në deklaratën zyrtare thuhet: “Duke pasur parasysh rëndësinë e incidentit, klubi njofton se do të marrë masat e nevojshme ligjore dhe sportive, përfshirë paraqitjen e një kallëzimi në polici dhe një protestë zyrtare pranë Federatës së Futbollit Paulista (FPF), duke kërkuar një hetim të përshtatshëm mbi ngjarjet dhe zbatimin e sanksioneve të parashikuara nga rregullorja”.

Edhe Ferroviaria, përveç masave që do të marrë ndaj futbollistes së saj, ka vendosur të ndjekë rrugën ligjore, duke pasur parasysh sjelljen e disa lojtareve dhe trajneres kundërshtare. Në reagimin e klubit thuhet: “Ferroviaria e njeh seriozitetin e incidentit dhe njofton se futbollistja Miga do t’u nënshtrohet masave përkatëse disiplinore të brendshme, si dhe do të marrë mbështetjen dhe ndihmën e nevojshme mjekësore dhe psikologjike. Sjellja e trajneres së skuadrës kundërshtare është indinjuese dhe e papranueshme. Në vend që të përpiqej të qetësonte situatën dhe të shmangte përshkallëzimin e saj, ajo reagoi me dhunë ndaj futbollistes sonë. Ajo është një profesioniste e rritur, me një rol drejtues dhe një shembull për t’u ndjekur nga të rejat që i janë besuar në kujdes. Ferroviaria do të ndërmarrë veprimet e duhura ligjore”.

Një turne që përfundoi në mënyrën më të keqe të mundshme, me një shpërthim të paprecedentë dhune. Fatkeqësisht, kjo nuk është hera e parë që ndodhin ngjarje të tilla në Amerikën e Jugut. Shpresojmë që të merren masa ndëshkuese shembullore.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top