NATO ka vendosur të reduktojë takimet e nivelit të lartë dhe nuk do të zhvillojë në Shqipëri samitin e liderëve të parashikuar për vitin 2027. Sipas një raportimi të Associated Press, vendimi vjen në një kohë tensionesh brenda aleancës për shpenzimet e mbrojtjes, qëndrimin ndaj Iranit dhe luftën në Ukrainë.
Kryeministri Edi Rama deklaroi të enjten se ende nuk ka një qëndrim të përbashkët për kohën kur do të mbahet samiti, duke konfirmuar se ai nuk do të zhvillohet në vitin 2027. Sipas tij, nëse do të ketë një samit në vitin 2028, ai do të organizohet në Tiranë.
Nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u përpoq të minimizonte rëndësinë e shtyrjes. Në një intervistë për Associated Press, ai tha se aleanca është fleksibël për organizimin e samiteve dhe se ato mbahen kur ka nevojë.
“Ne jemi fleksibël me samitet e NATO-s. Ne kemi samite kur kemi nevojë për to”, u shpreh Rutte, duke shtuar se takimi i ardhshëm do të zhvillohet në kohën e duhur.
Deri rreth një dekadë më parë, NATO organizonte samite çdo dy vjet, ndërsa tashmë po shqyrton edhe riorganizimin e takimeve ministrore.
Shkurtohen edhe takimet ministrore
Ndryshimet nuk prekin vetëm takimet mes presidentit amerikan Donald Trump dhe liderëve të tjerë të aleancës. Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s zakonisht zhvillojnë një takim në tetor, por muajin e kaluar nuk pati bisedime dhe asnjë takim i tillë nuk është parashikuar për tetorin e vitit 2027.
Edhe ministrat e Jashtëm do të kenë vetëm një takim të planifikuar vitin e ardhshëm, në vend të dy takimeve që zhvilloheshin zakonisht. NATO e ka përshkruar këtë ndryshim si pjesë të një “pakete riorganizimi”.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, kanë munguar në disa takime të aleancës ose janë larguar përpara përfundimit të tyre. Sipas AP-së, Hegseth ka shfrytëzuar takimet ministrore për t’u kërkuar aleatëve europianë dhe Kanadasë të rrisin angazhimin e tyre në fushën e mbrojtjes.
Shpenzimet e mbrojtjes, pikë diskutimi për Shqipërinë
Shtyrja e samitit nxjerr në pah edhe sfidat që lidhen me angazhimet e vendeve anëtare. Shqipëria u përzgjodh si vendi pritës i samitit të vitit 2027 në vitin 2025, por emri i saj u hoq nga një deklaratë e aleancës në samitin e korrikut.
Sipas Associated Press, disa aleatë kanë shprehur rezerva për nivelin e shpenzimeve të Shqipërisë në fushën e mbrojtjes dhe kanë ngurruar ta shpërblejnë vendin me organizimin e një prej ngjarjeve më të rëndësishme të NATO-s. Qeveria shqiptare parashikohet të shpenzojë 2.15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen gjatë këtij viti.
Objektivi i përcaktuar nga NATO është që 32 vendet anëtare të shpenzojnë deri në vitin 2035, 3.5% të PBB-së për mbrojtjen bazë dhe 1.5% të tjera për infrastrukturën që lidhet me mbrojtjen.
Megjithatë, Shqipëria nuk renditet ndër vendet me shpenzimet më të ulëta. Sipas AP-së, Spanja, Belgjika dhe Sllovenia janë më larg përmbushjes së objektivave të përcaktuara nga aleanca.
Kosto e lartë dhe përgatitje e gjatë për organizimin e samiteve
Organizimi i një samiti të NATO-s kërkon burime të konsiderueshme financiare dhe një përgatitje të gjatë. Holanda iu desh të përgatitej për rreth një vit përpara samitit të vitit 2025 në Hagë, ndërsa shpenzimet arritën në rreth 100 milionë dollarë.
Zyrtarët kanë bërë të ditur se NATO-s do t’i duhej të merrte një vendim për Shqipërinë deri në tetor, në mënyrë që të kishte kohë të mjaftueshme për organizimin e samitit gjatë vitit të ardhshëm.
Edhe Turqia, e cila priti samitin e këtij viti, ndërmori një sërë masash të kushtueshme organizative dhe sigurie. Presidenti Rexhep Tajip Erdogan organizoi pritjen në kompleksin e tij presidencial në Ankara, ndërsa u rinovua një aeroport ushtarak për mbërritjen e liderëve dhe u angazhuan dhjetëra mijëra efektivë të sigurisë. Pjesë të kryeqytetit u kufizuan, ndërsa punonjësve publikë jo thelbësorë iu dha një javë pushim.
“Gjithmonë ka shumë siguri të përfshirë. Është një ngjarje e kushtueshme të organizosh një takim me 32 aleatë dhe më pas me vendet partnere dhe partnerët Indo-Paqësorë që kemi, si Japonia dhe Koreja, Australia, Zelanda e Re”, deklaroi Rutte për AP-në.
I pyetur nëse organizimi i samiteve ia vlen pavarësisht kostove, kreu i NATO-s u përgjigj shkurt: “Ia vlen.”