Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca nuk do të mbajnë më asnjë funksion drejtues në Partinë Socialiste, por mbeten anëtarë të saj. Sqarimi është bërë nga sekretari i përgjithshëm i PS-së Blendi Klosi, pas paqartësive që pasuan mbledhjen e Asamblesë Kombëtare.
Sipas Klosit, Spiropali nuk do të jetë më pjesë e Kryesisë, Asamblesë apo strukturave të tjera drejtuese të partisë dhe nuk do të mbajë më funksione politike në Tiranë. Ai shtoi se e njëjta masë vlen edhe për Plarent Ndrecën.
Klosi sqaroi se në Asamble nuk është votuar për përjashtimin e tyre nga vetë Partia Socialiste, pasi, sipas tij, kjo nuk është konsideruar e nevojshme. Spiropali mbetet kështu anëtare e thjeshtë e PS-së.
Ai bëri të ditur gjithashtu se gjatë mbledhjes pati edhe kundërshtime ndaj përjashtimit të plotë, por në përfundim u vendos që Spiropali dhe Ndreca të mos mbajnë më funksione apo poste në strukturat drejtuese të partisë. Ndërkohë, pritet të sqarohet edhe pozicioni i Spiropalit në grupin parlamentar socialist.