Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar shkëputjen e një masivi të madh shkëmbor pranë fshatit Bardhoc, në segmentin e Rrugës së Kombit, në drejtim të pikës kufitare të Morinit. Gurët përfunduan në trupin e rrugës, duke sjellë bllokimin e përkohshëm të qarkullimit të automjeteve për disa minuta.
Fatmirësisht, në momentin e rënies së masivit shkëmbor nuk po kalonte asnjë automjet, duke shmangur kështu ndonjë aksident të mundshëm. Pas ndërhyrjes së firmës mirëmbajtëse dhe përdorimit të mjeteve të rënda, shkëmbinjtë u larguan nga rruga dhe qarkullimi u normalizua brenda rreth një ore.