Rama thotë se ishte pranë dialogut sekret me studentët (Por diçka ndodhi rrugës)

Gjatë konferencës së përbashkët me ambasadoren e BE-së, kryeministri Edi Rama pretendoi se tre grupe studentësh janë detyruar të tërhiqen nga përpjekjet për t’u takuar me të, për shkak të presioneve dhe bullizimit, si në rrjetet sociale, ashtu edhe fizikisht.

Rama theksoi se takimet ishin menduar të zhvilloheshin pa kamera dhe pa praninë e mediave, me qëllimin e vetëm për të zhvilluar një bisedë të drejtpërdrejtë. Thënë ndryshe një takim sekret.

“Nesër ne do të ndezim një tjetër dritare në ekranet e kujtdo që është i interesuar, një dritare dialogu që u ofrohet atyre që duan të ndërveprojnë me mua dhe me qeverinë për çështje me rëndësi.

Një dritare dialogu për studentët që kërcënohen nga ata pseudo-studentë që shfaqen në dyert e auditoreve dhe çojnë mesazhe të dhunshme ndaj kujtdo që mendon ndryshe apo që guxon të hedhë hapin drejt dialogut.

Tre grupe studentësh janë kthyer mbrapsht me dhunë, online dhe offline, nga këta pseudo-studentë, në përpjekjen e tyre për të ardhur në një takim me mua, pa kamera, pa foto dhe pa njoftim për shtyp, thjesht për të biseduar. Tre grupe studentësh, me emra dhe mbiemra të dekonspiruar, dreqi e merr vesh se si, dhe të bullizuar në ekstrem.

Unë nuk jam më as student dhe as pedagog, por vij nga një rrugë ku kam qenë student dhe pedagog dhe ku, bashkë me studentët, kam dalë kundër një regjimi real dhe jo një regjimi imagjinar, vetëm për një arsye: për të qenë i lirë.

Kush mendon se me trembje, frikë apo dhunë do të ketë impakt tek unë, i ka bërë llogaritë gabim. Dhe do ta marrë përgjigjen edhe penalisht, edhe administrativisht, si ata që ngrenë dorën kundër policisë, ashtu edhe ata që bllokojnë rrugët”, tha Rama.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top