Venddepozitimi i mbetjeve të Bashkive Bulqizë dhe Klos, i cili ndodhet mbi fshatin Plan i Bardhë, vijon të digjet prej më shumë se një muaji. Flakët kanë nisur më 1 tetor dhe, pavarësisht ndërhyrjeve të shërbimeve zjarrfikëse dhe reshjeve të shiut, zjarri ende nuk është shuar plotësisht. Situata paraqitet edhe më problematike gjatë natës, kur në venddepozitim vijojnë të hidhen mbetje të tjera nga të dyja bashkitë. Ndërhyrjet me mjete zjarrfikëse nuk kanë arritur të shuajnë vatrat, ndërsa zjarri vazhdon të djegë mbetjet plastike të grumbulluara aty ndër vite.
Jashtë kamerave, banorët e zonës kërkojnë zgjidhjen përfundimtare të kësaj situate, duke shprehur shqetësimin për ndotjen e ajrit dhe rrezikun që paraqet tymi i çliruar nga djegia e plastikës. Sipas tyre, kimikatet që përhapen në ajër po ndikojnë në jetesën e tyre të përditshme. Një tjetër shqetësim i banorëve lidhet me burimet ujore që burojnë në këtë zonë. Ata druhen se djegia e vazhdueshme e mbetjeve mund të shkaktojë edhe kontaminimin e ujërave, duke shtuar rrezikun për komunitetin që jeton pranë venddepozitimit.