Bordi Ekzekutiv i Bankës Kombëtare të Serbisë ka vendosur në mbledhjen e djeshme t’i heqë licencën e ushtrimit të aktivitetit bankar Alta Bank, me seli në Beograd, bëhet e ditur në një njoftim zyrtar të institucionit.
Alta Bank është në pronësi të biznesmenit Davor Macura, i cili në mesin e muajit tetor u kthye nga aeroporti i Podgoricës, pasi autoritetet malazeze i refuzuan hyrjen në vend për arsye të sigurisë kombëtare.
“Banka Kombëtare e Serbisë, pas kryerjes së veprimeve të kontrollit dhe vendosjes së masave të përkohshme, me qëllim mbrojtjen e depozituesve dhe kreditorëve të tjerë, si dhe parandalimin e përhapjes së efekteve negative në shoqëri dhe ekonomi, vendosi më 30 tetor t’i revokojë licencën e ushtrimit të aktivitetit bankar Alta Bank ad Beograd.
Njëkohësisht, përmes vendimit për plotësimin e kushteve për nisjen e procedurave të falimentimit ndaj kësaj banke, Banka Kombëtare e Serbisë ia ka kaluar administrimin Agjencisë së Sigurimit të Depozitave. Gjithashtu, janë nisur procedurat përkatëse ndaj bankës, aksionarëve të saj, organeve drejtuese dhe personave të tjerë përgjegjës”, thuhet në njoftim.
Sipas autoriteteve serbe, kjo masë garanton që asetet e Alta Bank të mbeten nën mbikëqyrje dhe të mos shpërdorohen, me qëllim që të gjithë kreditorët, veçanërisht individët dhe bizneset që kanë depozita në këtë bankë, të mund të kenë sërish akses në fondet e tyre sa më shpejt të jetë e mundur.
Depozituesit do të njoftohen në kohën e duhur se në cilat banka do të mund të tërheqin depozitat e tyre deri në kufirin e siguruar prej 50 mijë eurosh, si dhe për mënyrën e deklarimit dhe shlyerjes së pretendimeve të tjera financiare.
Banka Qendrore e Serbisë thekson se kjo procedurë nuk i çliron debitorët e bankës nga detyrimet e tyre financiare. Pas nisjes së procedurave të falimentimit, ata do të marrin udhëzime të qarta për mënyrën e shlyerjes së detyrimeve ndaj bankës.
“Është thelbësore që në këtë moment të gjithë kreditorët dhe klientët e bankës të kuptojnë se kjo procedurë mbron të drejtat e tyre, por njëkohësisht ruan stabilitetin financiar të sektorit bankar dhe të tregut financiar. Të gjitha këto janë kushte paraprake për funksionimin e rregullt të ekonomisë sonë.
Mbrojtja e depozituesve dhe e pretendimeve të tyre financiare është përparësi. Për të garantuar dhe ruajtur këtë mbrojtje në nivelin më të lartë të mundshëm, është e nevojshme që i gjithë procesi të zhvillohet në mënyrë të informuar. Si Banka Kombëtare e Serbisë, ashtu edhe Agjencia e Sigurimit të Depozitave do të bëjnë përpjekjet maksimale që procedura të përfundojë sa më shpejt, në mënyrë transparente dhe duke marrë parasysh ndikimin te të gjithë pjesëmarrësit e tregut”, thuhet më tej në deklaratë.
“Gjendja financiare e bankës është përkeqësuar ndjeshëm”
Në një tjetër njoftim të publikuar më herët gjatë mëngjesit, Banka Kombëtare e Serbisë bëri të ditur se vendimi për heqjen e licencës ishte paraprirë nga një sërë kontrollesh, të cilat synonin të garantonin rritjen e nivelit të likuiditetit të bankës.
Nga verifikimet rezultoi se gjendja financiare e institucionit ishte përkeqësuar ndjeshëm gjatë periudhës së fundit dhe se ekzistonte rreziku i një përkeqësimi të mëtejshëm të situatës financiare ose të likuiditetit, duke vënë në rrezik interesat e depozituesve.
“Duke qenë se janë plotësuar kushtet ligjore për revokimin e licencës së ushtrimit të aktivitetit bankar, në përputhje me Ligjin për Bankat, Banka Kombëtare e Serbisë mori vendimin përkatës me qëllim mbrojtjen e interesave të depozituesve dhe ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar.
Agjencia e Sigurimit të Depozitave do të mundësojë pagesën e shumave të siguruara dhe vënien në dispozicion të fondeve për depozituesit brenda shtatë ditëve pune, në përputhje me Ligjin për Sigurimin e Depozitave”, thuhet në njoftimin e institucionit./ Vijesti.me