Serbia ka rritur masat e sigurisë pas një sulmi me thikë ndaj një efektivi që ruante ambasadën e Izraelit në Beograd, pak pas mesnatës. Sipas autoriteteve serbe, sulmuesi ishte i mitur dhe mbante me vete dy thika. Ai sulmoi një pjesëtar të Xhandarmërisë, ndërsa gjatë incidentit bërtiti “Allahu Ekber”.
Efektivi reagoi duke përdorur armën e shërbimit dhe qëlloi sulmuesin, i cili humbi jetën në vendngjarje. Polici mbeti i plagosur lehtë. Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç, deklaroi se ngjarja po hetohet si akt terrorist dhe se efektivi kishte vepruar në vetëmbrojtje.
Pas sulmit, autoritetet ngritën nivelin e kërcënimit terrorist në shkallën më të lartë dhe shtuan praninë e policisë në disa pika të ndjeshme në vend. Sipas Daçiç, i mituri ishte nën vëzhgimin e shërbimeve të sigurisë për shkak të dyshimeve se simpatizonte organizatën terroriste Shteti Islamik. Autoritetet pretendojnë se ai kishte publikuar më herët në Instagram flamurin e zi të ISIS-it. Deri tani, Ministria e Jashtme serbe nuk ka reaguar publikisht për incidentin.