Vetëm 17 vjeç, Adri Mehmeti po konsiderohet një nga talentet më premtuese të futbollit në Amerikën e Veriut, transmeton Gazeta Metro.
Mesfushori defensiv i New York Red Bulls ka spikatur me qetësinë, pjekurinë dhe sigurinë në fushë, duke fituar besimin e trajnerëve dhe duke bërë hapa të shpejtë drejt ekipit të parë dhe Kombëtares së SHBA-së.
Në një intervistë për CNN Sports, Mehmeti pranon se ngritja e tij e shpejtë ishte e papritur, por shprehet mirënjohës për besimin që i është dhënë. Ai thekson se çdo ditë po mësohet me përgjegjësitë e reja dhe po përpiqet të përmirësohet vazhdimisht.
Dashuria e Mehmetit për futbollin nisi që në fëmijëri, kur ishte vetëm dy vjeç dhe nisi të luante me top së bashku me të atin. Me të dy prindërit me origjinë nga Shqipëria, futbolli u bë pjesë e pandashme e jetës së tij.
Babai, i cili në rininë e tij kishte luajtur edhe për ekipet e moshave të Shqipërisë, ka qenë ndikimi më i madh në formimin e tij, si në fushë, ashtu edhe jashtë saj.
Edhe sot, pavarësisht angazhimeve si futbollist profesionist, Mehmeti vazhdon të kalojë kohë duke luajtur me top me të atin në oborrin e shtëpisë. 17-vjeçari thotë se pasioni për futbollin nuk i është zbehur asnjëherë dhe se sakrificat e prindërve janë një nga motivet kryesore që e shtyjnë të punojë çdo ditë për të realizuar ëndrrat e tij./gazetametro.net