Motra e Matthew Perry-t zbulon dhimbjen pas dasmës ikonike në “Friends”

Për publikun, dasma e Chandler Bing dhe Monica Geller në serialin e famshëm “Friends” ishte një nga momentet më të bukura të historisë së tyre të dashurisë. Por për familjen e Matthew Perry-t, ajo skenë kishte një domethënie shumë më të dhimbshme.

Motra e aktorit, Mia Perry Bowick, ka rrëfyer se pas këtij momenti të lumtur në ekran fshihej frika se Matthew mund të mos e përjetonte kurrë vetë një ditë të tillë në jetën reale.

“Kur pamë atë dasmë, të gjithë e dinim se ai e dëshironte këtë në jetën e tij. Ai dëshironte një partnere dhe fëmijë”, tregoi ajo në një intervistë për revistën People.

Mia shpjegoi se familja ishte e vetëdijshme për seriozitetin e problemeve të aktorit me varësinë, ndaj lumturia që përcillte personazhi i tij në serial shoqërohej edhe me pasiguri dhe dhimbje.

“Ne të gjithë e dinim se sa serioz ishte problemi i tij, ndaj ekzistonte kjo ndjesi: kush e di se çfarë do të ndodhë?”, rrëfeu ajo.

Një ëndërr që Matthew Perry nuk arriti ta realizonte

Matthew Perry, i cili u bë i famshëm në mbarë botën për rolin e Chandler Bing, nuk u martua dhe nuk pati fëmijë gjatë jetës së tij. Aktori ndërroi jetë më 28 tetor 2023, në moshën 54-vjeçare.

Në librin e tij autobiografik, Friends, Lovers, and the Big Terrible Thing, botuar në vitin 2022, Perry foli hapur për betejën e gjatë me varësinë nga alkooli dhe ilaçet.

Ai zbuloi gjithashtu se, menjëherë pas përfundimit të xhirimeve të episodit të dasmës së Chandler dhe Monica-s, ishte dërguar sërish në një qendër rehabilitimi.

Episodi, i transmetuar në vitin 2001, shënoi një moment të rëndësishëm në historinë e “Friends”, por kujtimet e aktorit tregojnë se periudha e xhirimeve ishte e mbushur me vështirësi personale.

Dokumentari i ri do të zbulojë anën e panjohur të aktorit

Rrëfimi i motrës së tij do të jetë pjesë e dokumentarit të ri të Netflix, “The One About Matthew Perry”, i cili pritet të publikohet më 27 tetor 2026.

Produksioni me tri pjesë do të sjellë dëshmi nga njerëz që e njohën nga afër aktorin dhe do të trajtojë karrierën e tij, jetën personale dhe betejën me varësinë.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top