Gazeta amerikane New York Post ka sjellë në vëmendje protestat që prej tetë ditësh po zhvillohen në Shqipëri. Ndërkombëtarja është ndalur te përplasjet mes demonstruesve dhe policisë në Tiranë. Sipas gazetës amerikane, lëvizja nisi me kërkesa që lidhen me arsimin, si ulja e tarifave universitare, më shumë financim publik dhe masa kundër korrupsionit në sistem. Me kalimin e ditëve, protestës iu shtua edhe kërkesa politike për largimin e kryeministrit Edi Rama. Shkrimi përshkruan episode të tensionuara në qendër të kryeqytetit. Protestuesit kanë hedhur gurë, flakadanë, fishekzjarrë dhe shishe molotov, ndërsa policia ka përdorur gaz lotsjellës, ujë me presion dhe shkopinj gome.
New York Post e vendos protestën shqiptare në një kontekst më të gjerë europian, duke e lidhur me pakënaqësitë që janë shfaqur në vende të ndryshme për koston e jetesës, arsimin, shërbimet publike dhe strehimin. Në artikull përmenden edhe protestat e muajve të fundit kundër projektit turistik në Zvërnec. Nga ana tjetër, artikulli shkruan se kryeministri Rama ka deklaruar se nuk jep dorëheqjen dhe se pushteti nuk mund të ndryshohet përmes tubimeve. Sipas tij, shqetësime të ligjshme të qytetarëve po përdoren nga grupe që synojnë trazira.