Kryeministri Edi Rama paralajmëroi mëngjesin e kësaj të hëne se familjet e të miturve që marrin pjesë në aktet e dhunës gjatë protestave do të mbajnë përgjegjësi financiare për dëmet e shkaktuara, nëse nuk marrin përgjegjësinë për fëmijët e tyre. Kreu i qeverisë tha se edhe studentët që lënë shkollën për të sulmuar efektivët e Policisë do të përballen me pasoja administrative, duke paralajmëruar se nuk do të përfitojnë më arsim falas, bursa apo mbështetje financiare nga shteti.
“Kush i është vënë në dispozicion këtij plani ogurzi, do të paguajë. U them të gjitha familjeve të atyre të miturve: Do të paguani në rast se nuk do të mbani përgjegjësinë tuaj për ata fëmijë, në rast se nuk dini ju t’i mbroni fëmijët tuaj dhe i lini rrugëve, nga 15, 14, 13 apo 16 vjeç, që të marrin rolin e mburojës së atyre të tjerëve që janë mbrapa. Atëherë, fatura financiare për të gjitha këto dëme do t’ju përndjekë deri në fund.