Hita reagon pas sulmit ndaj Komisariatit nr. 3: 10 efektivë të plagosur, do të identifikohen autorët

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka reaguar pas sulmit ndaj Komisariatit të Policisë nr. 3 në Tiranë, ku mbetën të plagosur 10 punonjës policie. Sipas tij, godina u sulmua nga persona të maskuar, të cilët përdorën bomba molotov, lëndë piroteknike, gurë dhe sende të forta.

Në deklaratën e tij, Hita theksoi se efektivët e plagosur ndodheshin në krye të detyrës dhe se nuk kishin qenë të angazhuar në veprimet policore gjatë protestave të ditëve të mëparshme.

Ai nënvizoi gjithashtu se sulmi krijoi rrezik për jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë, por edhe për personat e shoqëruar që ndodheshin brenda ambienteve të komisariatit.

“Sulmi ndaj një komisariati policie nuk është protestë”, u shpreh Hita, duke e cilësuar përdorimin e mjeteve të rrezikshme kundër efektivëve si dhunë të rëndë, e cila ndëshkohet nga ligji.

Kreu i Policisë së Shtetit bëri të ditur se edhe gjatë ditës së sotme janë regjistruar incidente të tjera të dhunshme ndaj punonjësve të policisë. Sipas tij, në sulme janë përdorur gurë, lëndë piroteknike, sfera metalike dhe bomba molotov, duke shkaktuar plagosjen e efektivëve të tjerë.

“Prej gjashtë ditësh, punonjësit e Policisë së Shtetit po përballen me akte të përsëritura dhune”, deklaroi Hita, duke shtuar se strukturat policore do të vijojnë punën për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Ai bëri të ditur se policia po punon për identifikimin e personave të përfshirë në sulme, dokumentimin e veprimeve të tyre dhe referimin e provave pranë organeve kompetente të drejtësisë.

Sipas tij, personat për të cilët do të provohet përgjegjësia penale do të përballen me pasojat e parashikuara nga ligji.

Apel për protestuesit paqësorë

Në reagimin e tij, Hita theksoi se e drejta për protestë paqësore është e garantuar, por ajo nuk mund të përdoret si justifikim për akte dhune apo dëmtim të pronës publike dhe private.

Ai tha se ka udhëzuar strukturat policore të veprojnë me profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe vendosmëri, duke respektuar ligjin, procedurat standarde dhe parimin e proporcionalitetit.

“Vendosmëria për të ndaluar dhunën duhet të shoqërohet në çdo rast me respektimin e ligjit dhe të drejtave të qytetarëve”, u shpreh drejtori i Policisë së Shtetit.

Hita u bëri thirrje personave të përfshirë në veprime të dhunshme që t’i ndërpresin ato, ndërsa qytetarëve që protestojnë në mënyrë paqësore u kërkoi të distancohen nga aktet e dhunës.

Në përfundim, ai shprehu mbështetjen për efektivët e plagosur dhe për punonjësit që vijojnë shërbimin, duke siguruar se Policia e Shtetit do të vazhdojë të veprojë për garantimin e sigurisë publike.

“Policia e Shtetit nuk është kundërshtare e qytetarëve. Ajo është në shërbim të tyre”, përfundoi Hita.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top