Protesta/ Komuniteti Mysliman: Institucionet t’u përgjigjen me seriozitet kërkesave të qytetarëve

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka reaguar për protestat që prej një jave po zhvillohen në Tiranë, duke kërkuar përgjegjësi nga institucionet dhe vetëpërmbajtje nga të gjitha palët e përfshira.

Në deklaratën zyrtare, KMSH shpreh shqetësimin për situatat që mund të cenojnë sigurinë dhe bashkëjetesën mes qytetarëve, ndërsa nënvizon se e drejta për të protestuar dhe për të kërkuar llogaridhënie është pjesë e rëndësishme e jetës demokratike.

Institucionit fetar i bën thirrje që kërkesat e qytetarëve të mos anashkalohen, por të trajtohen me seriozitet, ndërsa palët të shmangin gjuhën nxitëse dhe veprimet që mund të thellojnë përçarjen.

“U bëjmë thirrje institucioneve t’u përgjigjen me seriozitet kërkesave të qytetarëve dhe të gjitha palëve të tregojnë vetëpërmbajtje, maturi dhe përgjegjësi”, thuhet në reagim.

Komuniteti Mysliman thekson se dallimet politike dhe shoqërore nuk duhet të kthehen në shkak për përçarje, duke kërkuar që çdo konflikt të marrë zgjidhje përmes komunikimit dhe respektimit të ligjit.
Sipas deklaratës, ruajtja e paqes dhe e dinjitetit njerëzor është përgjegjësi e përbashkët, ndërsa institucionet dhe qytetarët duhet të tregojnë kujdes për pasojat që mund të sjellin fjalët dhe veprimet e tyre.

Deklarata e plotë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë:

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë po i ndjek me vëmendje zhvillimet e fundit në vend dhe protestat që po zhvillohen, duke shprehur shqetësimin për çdo situatë që mund të cenojë paqen sociale, sigurinë dhe bashkëjetesën mes qytetarëve.

Ne besojmë se e drejta për t’u shprehur, për të protestuar dhe për të kërkuar llogaridhënie është pjesë e rëndësishme e jetës shoqërore, ndërsa ruajtja e paqes, respekti ndaj tjetrit dhe shmangia e çdo forme dhune janë përgjegjësi e përbashkët e të gjithëve.

Në këto momente, nevojiten reflektim i sinqertë, urtësi dhe përgjegjësi nga të gjithë, për të vlerësuar pasojat e fjalëve dhe veprimeve tona mbi jetën e përbashkët. U bëjmë thirrje institucioneve t’u përgjigjen me seriozitet kërkesave të qytetarëve dhe të gjitha palëve të tregojnë vetëpërmbajtje, maturi dhe përgjegjësi, duke shmangur gjuhën nxitëse, urrejtjen dhe çdo veprim që mund të thellojë përçarjen mes qytetarëve, duke vendosur dinjitetin njerëzor, sigurinë dhe të mirën e vendit në qendër të çdo vendimmarrjeje.

Çdo mosmarrëveshje, sado e ndërlikuar të jetë, duhet të kërkojë zgjidhje përmes dialogut, dëgjimit të ndërsjellë dhe respektimit të ligjit e institucioneve.

Shqipëria është shtëpia e përbashkët e të gjithëve. Dallimet në qëndrime dhe bindje nuk duhet të na largojnë nga njëri-tjetri, por të na kujtojnë se paqja, dinjiteti njerëzor dhe e ardhmja e vendit janë vlera që na bashkojnë përtej çdo dallimi politik apo shoqëror.

Si institucion fetar, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë mbetet i përkushtuar ndaj paqes, harmonisë, mirëkuptimit dhe bashkëjetesës. Ne besojmë se fjala e urtë është më e fortë se zemërimi, se dialogu është më frytdhënës se përplasja dhe se përgjegjësia ndaj së mirës së përbashkët duhet të udhëheqë çdo veprim.

Në këto ditë, lutemi që Zoti i Madhëruar t’i japë vendit tonë qetësi e urtësi, t’i udhëzojë të gjithë drejt së mirës, t’u dhurojë zemrave paqe e mirëkuptim dhe t’i ndihmojë drejtuesit, qytetarët dhe të gjithë aktorët e shoqërisë të gjejnë rrugën e dialogut dhe të zgjidhjeve të drejta.

Zoti e ruajtë Shqipërinë, i mbrojtë qytetarët e saj dhe na udhëzoftë të gjithëve drejt paqes, drejtësisë dhe së mirës së përbashkët. Amin!

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top