Kryetari i Partisë Mundësia Agron Shehaj ka denoncuar sot nga blloku i sigurisë në Komisariatin Nr. 3 të Policisë në kryeqytet dhunën e tmerrshme që policia ka ushtruar ndaj qindra të rinjve të arrestuar.
Shehaj shprehet se mes të arrestuarve ka edhe të mitur të cilët ndodhen në kushte aspak të favorshme në qeli me nga një shtrat për 4 persona.
“Tek blloku i sigurisë tek Mine Peza kanë arrestuar dhe po mbajnë pothuajse 200 protestues. Pjesa më e madhe, pothuajse 90% janë në një moshë nga 18-21 vjeç. Por ka edhe të mitur. Pothuajse 15 prej tyre janë të mitur. Janë të tmerrshme kushtet në të cilat ndodhen këta të rinj. Janë në qeli me një shtrat ku kanë vendosur 4 veta. Imagjinoni 15-vjeçarë, 16-vjeçarë mbahen këtu në kushte të tilla”, thekson kreu i Mundësia.
Shehaj shprehet se ka takuar nga afër qindra prej studentëve të arrestuar të cilët i kanë rrëfyer për dhunën e ushtruar ndaj tyre edhe në një ambient në Ministrinë e Arsimit, duke e quajtur atë si “dhoma e famshme” ku janë torturuar të arrestuarit.
“Disa prej tyre flasin për dhjetra protestues, disa të tjerë për qindra protestues që kanë kaluar në atë dhomë. Kjo dhomë ndodhet në Ministrinë e Arsimit, ku policia i ka rrahur në mënyrë barbare. Një prej tyre më tregonte se si i kishte sytë e zinj dhe kishte hundën e thyer, të fryrë dhe të thyer dhe nuk ka marrë asnjë shërbim mjekësor”, dëgjohet në video Shehaj.
Shehaj i bën thirrje qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama të ndalë dhunën ndaj studentëve.
“Është e tmerrshme ajo që po u bëhet të rinjve dhe protestuesve. I bëj thirrje qeverisë, i bëj thirrje Edi Ramës të ndalë menjëherë dhunën mbi studentët. Është e papranueshme. Do të mbani përgjegjësi për çfarë po bëni”, shprehet kreu i Mundësia.