Shoqata e Bankave: Mos dëmtoni bankat, janë infrastrukturë thelbësore për ekonominë

Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), njoftoi se êshtë duke ndjekur me vëmendje situatën e krijuar gjatë protestave të ditëve të fundit, informon publikun se disa degë bankare dhe ATM janë prekur nga veprime që kanë shkaktuar dëme materiale.

Për shkak të zhvillimeve në terren dhe me prioritet sigurinë e klientëve dhe të punonjësve, një pjesë e mirë e bankave kanë operuar përkohësisht me numër të reduktuar degësh dhe/ose me orar të kufizuar.

Në raste të caktuara nuk ka qenë e mundur që klientëve t’u ofrohej shërbimi me kapacitetin dhe standardin e zakonshëm. AAB dhe bankat anëtare kërkojnë mirëkuptimin e klientëve për çdo vështirësi apo vonesë të shkaktuar nga kjo situatë e jashtëzakonshme.

Bankat do të vijojnë aktivitetin sipas kushteve dhe orareve të përcaktuara nga secila prej tyre, në varësi të situatës dhe vlerësimeve të sigurisë. Ftojmë klientët që, përpara se të paraqiten në degë, të konsultojnë njoftimet zyrtare në faqet e internetit dhe kanalet e tjera të komunikimit të bankës së tyre.

Në të njëjtën kohë, klientët inkurajohen që, kur është e mundur, të përdorin kanalet bankare digjitale për kryerjen e pagesave, transfertave dhe transaksioneve të tjera të disponueshme në distancë.

AAB thekson se dëmet e evidentuara janë materiale dhe veprimet ndaj ambienteve fizike apo pajisjeve nuk cenojnë, në vetvete, depozitat e klientëve dhe funksionimin e sektorit bankar. Bankat vijojnë të zbatojnë masat dhe procedurat për ruajtjen e sigurisë, vazhdimësinë e aktivitetit dhe mbrojtjen e interesave të klientëve.

Sistemi bankar është një infrastrukturë thelbësore për qytetarët, bizneset dhe ekonominë shqiptare dhe një kontribues i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit, nëpërmjet kreditimit të familjeve dhe sipërmarrjeve, lehtësimit të pagesave dhe transaksioneve, punësimit dhe kontributit në të ardhurat në buxhetin e shtetit. Prandaj të gjithë bashkë të ruajmë sistemin bankar dhe atë financiar si e mirë e përbashkët, të mos sulmohen degët e bankave dhe objektet e tjera financiare.

Bankat mbeten të angazhuara për vijimësinë e shërbimit normal sa më shpejt që kushtet e sigurisë ta lejojnë, duke vlerësuar me prioritet mbrojtjen e klientëve, punonjësve dhe infrastrukturës bankare, përfundon njoftimi./Monitor.al

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top