Të riorganizuar sërish në rrugën e Durrës, studentët i kanë vënë flakën kartonëve. Gjithashtu i kanë vënë flakën edhe disa reklamave të montuara në rrugë.
Ndërsa policia është bërë gardh ku pranë tyre ndodhet edhe një autobot uji.



Përplasjet mes studentëve protestues dhe policisë vijojnë prej pesë orësh para Ministrisë së Arsimit, ku situata është tensionuar, ndërsa uniformat blu u janë përgjigjur protestuesve me gaz lotsjellës dhe ujë me presion. Protesta nisi në orën 14:00 me thirrje kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.
Për rreth 60 minuta studentët vijuan paqësisht protestën me thirrje dhe parulla kundër qeverisë, ndërsa më pas hodhën drejt godinës së Ministrisë vezë por edhe pllaka trotuari duke thyer xhamat e institucionit. Ata shembën edhe kangjellat e trotuarit, ndërsa arritën të hapin edhe një prej dyerve metalike të Ministrisë.
Policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe ujë me presion, duke tentuar të shpërndajë studentët.
Por studentët kanë vijuar rezistencën përpara institucionit.