Deputetja e pavarur ka reaguar ashpër ndaj ministrit të Brendshëm, Ervin Demo, pas përplasjeve mes studentëve dhe forcave të policisë gjatë protestës së sotme përpara Ministrisë së Arsimit.
Përmes një statusi në Facebook, ajo e akuzoi ministrin se po e nis detyrën e re me dhunë ndaj studentëve, duke i kërkuar të ndalojë ndërhyrjen e policisë kundër protestuesve.
“Ervin Demo, dhuna kundër studentëve nuk duhet të jetë suksesi jot i parë pas ardhjes në detyrë si Ministër i Brendshëm. Ndalo dhunën, mbro studentët dhe lufto padrejtësitë që ka çu ata studentë në shesh”, shkroi deputetja.
Ajo e cilësoi ndërhyrjen e policisë si një përpjekje të pushtetit për t’u mbrojtur përmes forcës nga pakënaqësia e të rinjve.
“Ngjarja e sotme të tregoi frikacak e të padrejtë. Po mbroheni me dhunë kundër njerëzve që nuk i shmangni dot. Hiqni duert prej studentëve”, përfundoi deputetja e pavarur. Dhjetëra studentë që dolën në protestë janë dhunuar nga policia që i ka rrahur, i ka tërhequr zvarrë dhe i ka sulmuar studentët me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.