Cristian Tello sapo ka njoftuar tërheqjen nga futbolli i luajtur në moshën 35-vjeçare, pas një karriere që e pa të rritej në ekipet e të rinjve të Barcelonës dhe më pas të rikthehej në ekipin e parë të katalanasve për tri sezone, nga viti 2011 deri në vitin 2014. Më pas, ai luajti për Porton dhe Fiorentinën, përpara se të bëhej një nga lojtarët kryesorë të Betisit.
Askush më mirë se ai nuk e di se çfarë do të thotë për një futbollist të ri të luftojë për të gjetur hapësirë në planet e trajnerit, kur në skuadër ka lojtarë të një niveli jashtëzakonisht të lartë, disa prej të cilëve me statusin e legjendave. Përvoja personale e Tellos e shtyn të mendojë se edhe një fenomen i futbollit botëror të sotëm si Lamine Yamal do ta kishte të vështirë të luante si titullar në atë Barcelonë.
“Titullar nuk besoj se do të ishte, madje do ta kishte të vështirë edhe të arrinte deri aty”, u përgjigj Tello për “Sport”, kur iu përmend Barcelona e vitit 2012. “Të ngjitej në ekipin e parë, po. Mendoj se do t’ia dilte, duke parë nivelin që ka dhe atë që po tregon, por më pas do të ishte e ndërlikuar. Po flasim për Alexis Sanchez, Pedro, David Villa, Leo Messi, Neymar… Për çdo lojtar të ri të akademisë, është jashtëzakonisht e vështirë të gjejë hapësirë në ekipin e parë përballë futbollistëve të tillë”.

Në të vërtetë, Tello gabon kur i përmend të pesë këta sulmues së bashku, pasi ata nuk kanë qenë kurrë njëkohësisht pjesë e skuadrës së Barcelonës. Vera e vitit 2013 shënoi kalimin nga largimi i Villas drejt Atletico Madridit te ardhja e Neymarit nga Santosi. Megjithatë, edhe nëse marrim në konsideratë formacionet titullare të atyre viteve, pa i pasur njëkohësisht Villan dhe Neymarin, mendimi i Tellos, i cili në pamje të parë mund të duket i pabesueshëm kur kemi ende të freskëta në mendje mrekullitë e Yamalit, nuk meriton të hidhet poshtë menjëherë, por ia vlen të diskutohet.
Kush luante titullar atëherë në sulmin e Barcelonës? Ku do futej Yamal?
Në sezonin 2011/12, vitin e fundit të Guardiolës në stol, treshja titullare e sulmit të Barcelonës përbëhej nga Pedro, Messi dhe Villa. Pas dëmtimit të rëndë të këtij të fundit, vendin e tij e zuri Sanchez. Në sezonin pasues, 2012/13, nën drejtimin e të ndjerit Tito Vilanova, në sulmin e Barcelonës, që luante me skemën 4-3-3, zgjedhjet e para ishin Pedro, Messi dhe Sanchez. Kiliani alternohej me Villan ose Tellon. Në sezonin 2013/14, me Tata Martino në stol, treshja titullare përbëhej nga Messi, Neymar dhe njëri mes Sanchezit e Pedros. Siç u përmend, Villa ishte larguar nga Barcelona gjatë verës.

Tello nuk e përmend, por duhet të kemi parasysh edhe se në të tria sezonet e marra në shqyrtim, Cesc Fabregas, i cili siç dihet e nisi karrierën si mesfushor, u aktivizua disa herë si titullar në treshen e sulmit, si në krahun e majtë, ashtu edhe, mbi të gjitha, në rolin e “false nine”, pra si sulmues i rremë. Për rrjedhojë, edhe ai duhet të përfshihet në diskutimin për vendin që Yamalit do t’i duhej t’ia zinte njërit prej këtyre kampionëve.
Duke marrë parasysh të gjitha këto, mund të themi se në sezonet 2011/12 dhe 2012/13 Yamal me shumë gjasë do të kishte arritur të siguronte një vend titullari te Barcelona. Ndërsa në sezonin 2013/14, me dy vende të paprekshme për Messin dhe Neymarin në kulmin e formës, do t’i duhej të luftonte për hapësirë, sidomos për shkak të përshtatshmërisë taktike me këta dy lojtarë. Vlen të kujtojmë se sa fantastik ishte edhe “Niño Maravilla”, pra Alexis Sanchez, në kulmin e tij, ndërsa Pedro nuk ishte aspak një lojtar i zakonshëm, pa harruar edhe alternativën Fabregas.

Nga ana tjetër, po flasim për një Yamal që është ende vetëm 19 vjeç dhe që ka përpara shumë mundësi për të fituar Topin e Artë, ndoshta të parin që mund ta fitojë që pas pak ditësh. Pas rreth dhjetë vitesh, e njëjta pyetje mund të marrë një përgjigje të vetëkuptueshme, të tipit: “Lamine do të ishte titullar në çdo skuadër në historinë e futbollit”…