Derbi i kryeqytetit po afron dhe Partizani ka zgjedhur të përgatitet larg vëmendjes mediatike. Të kuqtë janë izoluar në Cërrik, ku do të zhvillojnë edhe seancën e fundit stërvitore përpara përballjes me Tiranën. Trajneri Florin Bratu kërkon qetësi dhe përqendrim maksimal, ndërsa një pikëpyetje e rëndësishme mbetet gjendja fizike e Xhuliano Skukës.
Partizani zgjedh izolimin përpara një prej ndeshjeve më të rëndësishme të sezonit. Skuadra e kuqe është zhvendosur në Cërrik, aty ku do të qëndrojë e përqendruar deri në derbin e kryeqytetit me Tiranën. Edhe seanca e fundit stërvitore, e planifikuar për sot, do të zhvillohet aty. Një vendim i teknikut Florin Bratu, i cili synon të largojë skuadrën nga presioni mediatik dhe vëmendja e tifozëve, për t’i dhënë grupit qetësinë e nevojshme në prag të një përballjeje ku rezultati dhe krenaria kanë peshë të veçantë.
Sidoqoftë, përtej përgatitjeve dhe strategjisë për derbin, vëmendja te Partizani është përqendruar edhe te gjendja fizike e Xhuliano Skukës. Një prej lojtarëve më të rëndësishëm të të kuqve, nuk po mund ende të japë kontributin e tij në skuadër në këtë start kampionati. Fillimisht përshtatja me trajnerin e ri e pastaj makthi i një dëmtimi të vjetër në gisht, që vazhdon ta shqetësojë sulmuesin edhe pas riintergimit në grup. Skuka është në garë me kohën, por pjesëmarrja e tij është e pasigurtë. Për momentin, shanset që ai të jetë në fushë vlerësohen 50 me 50, duke e lënë vendimin përfundimtar të lidhur me gjendjen e tij në orët e fundit para ndeshjes.
Për teknikun Bratu, prania e Skukës do të ishte një plus i rëndësishëm në një sfidë të tillë, por Partizani duhet të përgatitet edhe për mundësinë që të mos ketë në dispozicion një nga armët kryesore të repartit ofensiv. Derbi po afron dhe të kuqtë po përpiqen të ruajnë qetësinë, ndërsa dilema Skuka mbetet një nga çështjet kryesore përpara përballjes me Tiranën.