Banka e Shqipërisë rrit ndjeshëm ndërhyrjen për të frenuar kolapsimin e Euros

Banka e Shqipërisë i ka rritur ndjeshëm blerjet e valutës në tremujorin e dytë të vitit 2026.

Sipas informacionit mbi ndërhyrjet në tregun e parasë, gjatë tremujorit të dytë të këtij viti Banka Qendrore ka blerë gjithsej 524 milionë euro, shifër kjo 224% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Nga këto, 143 milionë euro ishin blerje të realizuara nëpërmjet ankandeve të programuara, në funksion të rritjes së rezervës valutore, ndërsa 381 milionë euro ishin blerje direkte, në përmbushje të objektivave të politikës monetare dhe stabilitetit financiar.

Duke shtuar edhe 139.6 milionë euro të blera në ankandet e tremujorit të parë, vlera totale e blerjeve për 6-mujorin 2026 ka arritur në 663.6 milionë Euro.

Blerjet e gjysmës së parë të vitit 2026 po ndjekin trajektoren e blerjeve të mëdha të valutës nga Banka e Shqipërisë duke filluar nga viti 2024. Në periudhën 2024-2025, blerjet arritën vlerën e më shumë se dy miliardë eurove. Vetëm vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë bleu 1 miliard e 27 milionë euro në tregun e brendshëm.

Në rast se tendenca e 6-mujorit të parë do të shtrihet edhe në pjesën e mbetur të këtij viti, gjasat janë që blerjet valutore të shënojnë një rekord të ri këtë vit.

Kursi i këmbimit Euro-Lek këtë vit e ka shpejtuar tendencën rënëse. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, aktualisht Euro këmbehet me 91.65 lekë, shumë afër minimumit historik prej 91.4 lekësh që u regjistrua në muajin shtator. Që nga fillimi i vitit, Euro është zhvlerësuar me 5.3%, ndërsa me bazë vjetore rënia është afërsisht në të njëjtën masë.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë treguan një përmirësim të ndjeshëm të Bilancit të Pagesave edhe në gjysmën e parë të këtij viti. Për 6-mujorin 2026, deficiti i llogarisë korrente pësoi rënie, me një vlerë totale prej 361 milionë eurosh ose 40.6% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Deficiti i llogarisë korrente për 6-mujorin ka shënuar njëkohësisht nivelin më të ulët që prej vitit 2018. Ulja e deficitit ka ardhur kryesisht nga rritja e eksporteve të shërbimeve dhe nga remitancat.

Efekt shtesë në bilancin e përgjithshëm duket të ketë dhënë edhe rritja e fortë e investimeve të huaja direkte. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për tremujorin e dytë 2026 vlera e investimeve të huaja direkte arriti në 741 milionë euro, në rritje me 86% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kjo rritje u ndikua ndjeshëm nga flukse të lidhura me një projekt të rëndësishëm zhvillimi në sektorin e pasurive të paluajtshme. Për të gjithë 6-mujorin e parë, vlera e përgjithshme e investimeve të huaja direkte arriti në 1.144 miliardë euro, me një rritje prej 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Gjithashtu, një efekt shtesë duket se ka ushtruar edhe suficiti i bollshëm fiskal, që ka ulur ofertën e Lekut në treg. Për 8-mujorin 2026, buxheti ishte në suficit në vlerën e 61.6 miliardë lekëve, në rritje me 52% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në përgjigje të presioneve të shtuara mbi kursin e Euros, Banka e Shqipërisë i ka shtuar blerjet e valutës. /Monitor

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top