Guvernatorja e New York-ut, Kathy Hochul, ka shpallur gjendjen e emergjencës në të gjithë shtetin për shkak të rritjes së rasteve të fruthit. Vendimi, i marrë dje, do të jetë në fuqi deri më 4 nëntor dhe synon të përshpejtojë vaksinimin dhe reagimin ndaj përhapjes së sëmundjes.
Sipas urdhrit ekzekutiv, kjo është shpallja e parë e një emergjence të tillë nga një shtet amerikan që nga rritja e rasteve të fruthit në vitin 2025. Njëkohësisht, autoritetet kanë zgjeruar kategorinë e profesionistëve shëndetësorë që mund të administrojnë vaksinën kundër fruthit.
Deri më 3 tetor, në shtetin e Nju-Jorkut janë konfirmuar 108 raste. Shtatë prej tyre janë regjistruar në qytetin e Nju-Jorkut, ndërsa 101 raste janë raportuar në pjesën tjetër të shtetit.
Rritja më e madhe e rasteve është evidentuar në komunitetet rurale, ku niveli i vaksinimit është më i ulët. Që prej 15 korrikut, janë raportuar 92 raste në 18 qarqe, ndërsa autoritetet lokale kanë administruar më shumë se 1 mijë doza të vaksinës MMR në zonat rurale.
Vaksina MMR mbron nga fruthi, shytat dhe rubeola. Sipas autoriteteve shëndetësore të Nju-Jorkut, një dozë ofron rreth 93% mbrojtje ndaj fruthit, ndërsa dy doza rrisin mbrojtjen në rreth 97%.
Me urdhrin e ri, edhe paramedikët, profesionistët e avancuar të shërbimeve mjekësore të urgjencës, mamitë dhe farmacistët mund të administrojnë vaksinën kundër fruthit. Gjithashtu, infermierët do të mund të urdhërojnë testime për personat që dyshohet se janë të infektuar.
Vaksinimet MMR duhet të raportohen në regjistrat shtetërorë ose në regjistrin e qytetit të Nju-Jorkut brenda 72 orëve. Megjithatë, vaksinimi vazhdon të kërkojë pëlqimin e pacientit ose të kujdestarit ligjor.
Fruthi është një sëmundje virale shumë ngjitëse që shkakton temperaturë të lartë dhe skuqje të lëkurës. Virusi përhapet kryesisht përmes ajrit, kur një person i infektuar kollitet ose teshtin. Në raste të rënda, sëmundja mund të shkaktojë komplikacione si pneumonia, encefaliti dhe, në raste të rralla, vdekja.
Rritja e rasteve në Nju-Jork vjen në një kohë kur fruthi po përhapet edhe në shtete të tjera amerikane. Sipas të dhënave të CDC-së, deri më 1 tetor janë raportuar 3,887 raste të konfirmuara të fruthit në SHBA gjatë vitit 2026. Rreth 95% e rasteve janë lidhur me shpërthime të sëmundjes.
Situata është edhe më e rëndë në Pensilvani, shteti fqinj me Nju-Jorkun. Deri më 2 tetor ishin raportuar 977 raste dhe pesë viktima, ndërsa autoritetet njoftuan më pas se numri kishte kaluar 1 mijë. Ky konsiderohet shpërthimi më i madh i fruthit i regjistruar në një shtet amerikan në më shumë se tre dekada.
Sipas CDC-së, SHBA po përballet gjatë vitit 2026 me numrin më të lartë të rasteve të fruthit që nga viti 1991. Gjatë gjithë vitit 2025 u raportuan 2,289 raste të konfirmuara, ndërsa vetëm deri në fillim të tetorit 2026 numri ka arritur në 3,887.