Partia Demokratike ka reaguar për shtyrjen e Censusit të Bujqësisë, duke deklaruar se ky vendim tregon, sipas saj, se qeveria e kryeministrit Edi Rama nuk po e trajton me seriozitet sektorin bujqësor.
Drejtuesja e Departamentit të Statistikave në PD, Ines Nurja, në një deklaratë për mediat, tha se realizimi i censusit është një detyrim që lidhet edhe me procesin e integrimit europian. Sipas saj, ai duhet të zhvillohet sa më parë, pasi përbën një instrument bazë për të evidentuar gjendjen e bujqësisë dhe për të përcaktuar politikat që duhet të ndiqen në këtë sektor.
“Censusi ishte paralajmëruar të niste në tetor 2026. Tani mësojmë se shtyhet për vitin 2027 sepse “nuk mjaftoi koha për procedurat”. Ky shpjegim është i papranueshëm për një proces që nuk ka lindur sot dhe që është shtyrë vazhdimisht që prej vitit 2022.”, theksoi ajo.
Nurja deklaroi se shtyrja bëhet edhe më problematike për faktin se Censusi i Bujqësisë është një prej rekomandimeve të përsëritura të Komisionit Europian në kuadër të Kapitullit 18, që lidhet me statistikat.
“Çështja është edhe më serioze sepse Censusi i Bujqësisë është një nga rekomandimet e përsëritura të Komisionit Europian në kuadër të Kapitullit 18 – Statistikat. Pra nuk kemi të bëjmë vetëm me një afat administrativ të humbur, por me një detyrim që lidhet drejtpërdrejt me procesin e integrimit europian të vendit.”, shton ajo.
Në përfundim, përfaqësuesja e PD-së kërkoi nga qeveria dhe INSTAT që të bëjnë publike arsyet konkrete që çuan në shtyrjen e procesit, si dhe pasojat që mund të sjellë vonesa.
“Prandaj qeveria dhe INSTAT duhet të bëjnë publike arsyet konkrete të kësaj shtyrjeje, përgjegjësitë për mosrespektimin e afatit, kalendarin e ri, kostot që sjell vonesa dhe ndikimin e saj në detyrimet e Shqipërisë ndaj Bashkimit Europian. Fermerët shqiptarë nuk mund të presin pafundësisht që shteti të kuptojë se çfarë po ndodh me bujqësinë. Pas kaq vitesh shtyrjesh, “nuk mjaftoi koha” nuk mund të jetë më një justifikim.”, përfundon ajo.