Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka denoncuar ndërhyrjen për ndërtim në zonën e kompleksit Taivan, në Parkun Rinia, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po sakrifikon historinë dhe hapësirat publike të Tiranës për interesat e besnikëve të tij.
Në një video të publikuar nga parku, Tabaku u shpreh se kjo hapësirë është konceptuar si park publik që në projektet e para urbanistike të qytetit dhe është trashëguar si e tillë për t’u shërbyer qytetarëve. Sipas saj, ndërtimi i paralajmëruar cenon një pjesë të historisë së kryeqytetit dhe një nga hapësirat e pakta që i kanë mbetur për të marrë frymë.
“Është një copë historie që duhet t’ia hanë dhe t’ia kafshojnë Tiranës, njësoj siç bënë edhe me Teatrin Kombëtar”, deklaroi Tabaku.
Deputetja theksoi se parku ka marrë statusin e zonës së mbrojtur në vitin 2007, ndërsa akuzoi qeverinë se ndërhyrja për ndërtim është njoftuar pa transparencë dhe pa konkurrencë.
“Pa asnjë konkurs, pa asnjë garë, pa asnjë njoftim, pa asnjë procedurë, njoftuan që këtu do të ndërtohej”, u shpreh ajo.
Tabaku e lidhi këtë ndërhyrje me vendimmarrjen e vitit 2009, duke akuzuar Ramën se po favorizon sërish të njëjtin përfitues.
“Mbasi ia dha Besnikut të Partisë në vitin 2009, sot qeveria është duke ia dhënë po të njëjtit besnik partie për ndërtim”, deklaroi deputetja.
Sipas Tabakut, ky rast dëshmon një model qeverisjeje që i shton Tiranës ndërtime, ndërsa lë pa përgjigje nevojat për transport publik, infrastrukturë dhe hapësira për fëmijët. Ajo tha se pikërisht kjo “makutëri” dhe përjashtimi i interesit qytetar nga vendimmarrja janë arsyet që i nxjerrin qytetarët në protestë.
Deputetja e PD-së kërkoi largimin e këtij sistemi, duke theksuar se kryeqyteti duhet t’i rikthehet shumicës së qytetarëve.
“Për këto arsye duhet të largohet ky sistem, për t’i dhënë frymëmarrje Tiranës, për ta kthyer Tiranën në Tiranën e shumicës, jo Tiranën e pakicës”, përfundoi Tabaku.