Subvencionet mbulojnë vetëm 17.9% të fermerëve; ndërsa 10% e përfituesve marrin 43% të gjithë fondit

Skema Kombëtare e Mbështetjes 2025 shpërndau 5.152 miliardë lekë dhe, sipas raportimit zyrtar të AZHBR-së, mbështeti 65,435 përfitues.

Për të kuptuar jo vetëm sa para u shpërndanë, por edhe sa gjerë arriti mbështetja dhe si u nda ajo ndërmjet fermerëve, analiza u zhvillua mbi 57,578 përfitues unikë pas konsolidimit të regjistrimeve të përsëritura.

Rezultati kryesor është i dyfishtë: mbulimi ndryshon shumë nga një qark në tjetrin, ndërsa edhe brenda grupit të përfituesve fondet janë të përqendruara fort në pjesën e sipërme të shpërndarjes.

Si është bërë analiza?

Analiza përdor të dhënat administrative të Skemës Kombëtare 2025 në nivel përfituesi. Shkalla e mbulimit llogaritet si raport ndërmjet përfituesve unikë të vitit 2025 dhe bazës së fermave sipas Censusit të Bujqësisë 2012. Për shpërndarjen e fondeve përdoren pagesa mesatare dhe mediane, kurba e Lorenz-it, koeficienti Gini dhe pjesët e fondit që marrin grupet me pagesat më të larta dhe më të ulëta. Përqendrimi territorial ndahet më tej në diferenca ndërmjet qarqeve dhe diferenca ndërmjet përfituesve brenda të njëjtit qark.

Vetëm 17.9% mbulim në nivel kombëtar

Në raport me bazën e fermave të Censusit 2012, shkalla kombëtare e mbulimit rezulton 17.9%. Kjo tregon se mbështetja publike arrin vetëm një pjesë të kufizuar të bazës së fermave të përdorur në analizë.

Por problemi nuk është vetëm niveli kombëtar. Diferencat ndërmjet qarqeve janë shumë të mëdha. Korça ka mbulimin më të lartë, 42.8%, e ndjekur nga Berati me 30.1%, Fieri me 24.7%, Gjirokastra me 24.5% dhe Vlora me 22.8%. Në anën tjetër, Lezha ka vetëm 4.2%, Durrësi 4.7%, Tirana 5.8%, Kukësi 8.7% dhe Dibra 9.0%.

Kontrasti Korçë-Lezhë është veçanërisht i fortë: 42.8% kundrejt 4.2%, pra rreth dhjetë herë diferencë në shkallën e mbulimit. Edhe Berati dhe Lezha kanë një bazë të përafërt fermash, por mbulimi është 30.1% në Berat dhe vetëm 4.2% në Lezhë. Këto diferenca ngrenë pikëpyetje serioze për barazinë territoriale të aksesit në skemë.

10% e përfituesve marrin 43% të fondit

Përqendrimi i fondeve është edhe më i fortë kur shihet shpërndarja ndërmjet përfituesve. Vetëm 10% e përfituesve me pagesat më të larta marrin 43.0% të të gjithë mbështetjes, ndërsa 50% e përfituesve me pagesat më të ulëta marrin vetëm 14.2%.

Pabarazia e shpërndarjes

Në terma të thjeshtë, një grup pesë herë më i vogël merr rreth tri herë më shumë fonde sesa gjysma e përfituesve me pagesat më të ulëta së bashku.

Pagesa mesatare është 89,486 lekë, ndërsa pagesa mediane vetëm 38,600 lekë. Diferenca e madhe mes tyre tregon se pagesat janë shume te  larta për një grupi të kufizuar te privilegjuar fermerësh te lidhur me politiken qeverisëse.

Figura 1. Kurba e Lorenz-it e pagesave të mbështetjes ndërmjet përfituesve, 2025

Burimi: Llogaritjet e autorit mbi të dhënat administrative të AZHBR-së, 2025.

Kurba e Lorenz-it e bën të dukshëm këtë përqendrim: 50% e përfituesve me pagesat më të ulëta marrin vetëm 14.2% të mbështetjes; 80% e përfituesve arrijnë së bashku 37.7%, ndërsa 90% marrin 57.0%. Pjesa tjetër e fondit përqendrohet te segmenti më i lartë i përfituesve.

Pabarazia më e madhe shfaqet brenda vetë qarqeve

Analiza territoriale jep një rezultat veçanërisht të rëndësishëm: 85.2% e përqendrimit të pagesave lidhet me diferencat ndërmjet përfituesve brenda të njëjtave qarqe, ndërsa vetëm 14.8% lidhet me diferencat ndërmjet qarqeve.

Problemi nuk mbaron te fakti që Korça ka mbulim shumë më të lartë se Lezha apo Durrësi. Edhe brenda të njëjtit qark, mbështetja ndahet në mënyrë shumë të pabarabartë ndërmjet fermerëve që përfitojnë.

Çfarë tregojnë shifrat?

Të dhënat tregojnë tre probleme të qarta:

-mbulim të kufizuar të bazës së fermave,

-diferenca shumë të mëdha territoriale dhe

-përqendrim të fortë të fondeve te një pjesë e vogël e përfituesve.

Këto rezultate nuk mjaftojnë, të vetme, për të provuar diskriminim e shumices se feremereve shqipatar . Por ato tregojnë efekte shumë të pabarabarta të politikës së mbështetjes dhe kërkojnë shpjegim të qartë për kriteret e aksesit, shpërndarjen territoriale dhe mënyrën se si fondet arrijnë te fermerët.

Debati për mbështetjen bujqësore nuk duhet të kufizohet te pyetja sa është fondi total. Pyetja po aq e rëndësishme është: sa fermerë arrin realisht fondi dhe sa e përqendruar është mbështetja te ata që përfitojnë?/ Monitor

 

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top