LIROJENI TREGUN E RESTAURIMIT! ARKITEKTËT DHE SPECIALISTËT SHQIPTARË NUK DUHET TË PENGOHEN NGA LICENCAT DHE MONOPOLET Nga Flamur Buçpapaj

LIROJENI TREGUN E RESTAURIMIT!

ARKITEKTËT DHE SPECIALISTËT SHQIPTARË NUK DUHET TË PENGOHEN NGA LICENCAT DHE MONOPOLET

Nga Flamur Buçpapaj


Sot fillon shkolla për studentët shqiptarë. Në emër të Nacionalit dhe të Partisë Sulmi Nacional, uroj të gjithë studentët shqiptarë për një vit të mbarë dhe shumë suksese në rrugën e tyre të dijes dhe të profesionit.
Por realiteti është ndryshe.
Studentët tanë, si kudo në botë, ndahen në të zgjuar, të shkëlqyer dhe në studentë që duan vetëm ta kalojnë shkollën dhe të marrin një diplomë. Por Shqipëria ka arkitektë dhe inxhinierë të rinj që mund t’ia kalojnë kujtdo në Evropë. Problemi është se këtyre të rinjve shpesh nuk u jepet mundësia të provojnë veten.
Edhe unë kam mbaruar në Shkodër dikur. Të vërtetën do ta them hapur: nuk kam qenë i interesuar kurrë për fakultetin Histori-Gjeografi. Nuk e kam ushtruar kurrë atë zanat dhe nuk kam qenë i interesuar të bëhesha më i miri në atë degë. Por dihet se unë shkëlqeja në gjuhë-letërsi, astrofizikë dhe gazetari.
Ashtu si unë, atëherë kishte shumë studentë që nuk shkonin të studionin pikërisht aty ku shkëlqenin. Shpesh ishin të detyruar të mbaronin një shkollë apo një degë tjetër.
Sot është ndryshe. Në demokraci duhet të ketë konkurrencë. Duhet të ketë dyer të hapura. Duhet të fitojë ai që është më i zoti.
Nuk duhet të ketë më ndalime artificiale.
Po marr rastin e kompanisë sime të restaurimit, TPLANI SHPK. Kam më shumë se një vit që kërkoj një drejtor teknik me licencë restaurimi dhe nuk po gjej. Pse? Sepse një pjesë e këtij sistemi është mbyllur dhe licencat janë bërë një barrierë për hyrjen e specialistëve të rinj dhe të kompanive të reja në treg.
Kam punuar në shumë vende të botës, në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk kam parë të jetë normale që një arkitekt, vetëm sepse nuk ka një licencë të caktuar administrative, të mos mund të drejtojë një punë për të cilën ka formimin profesional.
Nëse një njeri është arkitekt, ka arsimin, përvojën dhe aftësinë profesionale, duhet t’i jepet mundësia të ushtrojë profesionin e tij. Shteti duhet të kontrollojë cilësinë dhe përgjegjësinë profesionale, por nuk duhet të krijojë monopole përmes licencave.
Unë mendoj se duhet të rishikohet i gjithë sistemi.
Kush janë sot të licencuarit? Ka arkitektë të vjetër, ka njerëz me përvojë, por ka edhe raste kur licenca nuk garanton domosdoshmërisht aftësinë reale për të drejtuar një punim.
Po jap një shembull nga përvoja ime.
Kam punuar në një projekt brenda Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Drejtuesi teknik që më ishte caktuar nuk po e kryente siç duhej detyrën. Nuk dua t’ia përmend emrin. Por situata ishte aq e rëndë sa, pas një ankese të Ambasadës, u detyrova të mos e çoja më në atë objekt.
E përmend këtë rast jo për të sulmuar një individ, por për të treguar një problem të sistemit: një licencë në letër nuk duhet të jetë më e rëndësishme se aftësia reale e një profesionisti.
Edhe unë kam punuar dhe kam fituar tendera në Shqipëri. Kur unë isha në Amerikë, ma hoqën licencën pa më lajmëruar. Kështu bëjnë komunistët, pas shpine.
Nuk dua ta kthej këtë editorial në një histori personale. Problemi është shumë më i madh se unë.
Unë jam në tregun amerikan dhe evropian dhe do të vazhdoj të punoj atje, por do të vij edhe në Shqipëri në fushën e restaurimit. Do të konkurroj kudo dhe me këdo.
Koha e monopoleve po mbaron.
Prandaj sot duhet t’u hapet rruga arkitektëve të rinj, djemve dhe vajzave të talentuara, që të mos pengohen nga barriera administrative për të drejtuar punime në Shqipëri.
Pse duhet të fitojnë vazhdimisht arkitektë të huaj tenderët e projektimit në Shqipëri, kur ne kemi arkitektë shqiptarë jashtëzakonisht të zotë dhe shumë të shkolluar?
Kemi arkitektë që kanë studiuar në universitetet më të mira, që kanë punuar jashtë vendit dhe që kanë njohuri të teknologjive më moderne të projektimit e të restaurimit. Por atyre u duhet dhënë mundësia të konkurrojnë.
Jepuni arkitektëve shqiptarë mundësinë të fitojnë një tender në Shqipëri. Pastaj ata do të kenë edhe një portofol pune, një referencë dhe një mundësi për të konkurruar në Evropë, Amerikë dhe kudo tjetër.
Mos bëni me profesionistët shqiptarë atë që bëhej në kohën e komunizmit: tregu botëror ka vend për të gjithë.
Shqipëria nuk mund të ndërtojë një ekonomi moderne me dyer të mbyllura.
Duhet të ketë rregulla, standarde, përgjegjësi profesionale dhe kontroll të cilësisë. Por këto rregulla duhet të jenë të njëjta për të gjithë dhe nuk duhet të përdoren si barriera për të mbrojtur interesa të caktuara.
Prandaj qeveria dhe Ministria e Kulturës duhet të rishikojnë urgjentisht legjislacionin për licencat e arkitekturës dhe restaurimit.
LICENCA DUHET TË GARANTOJË STANDARDIN, JO MONOPOLIN.
KONKURRENCË DUHET TË GARANTOJË CILËSINË, JO LIDHJET.
DHE TALENTI DUHET TË KETË TË DREJTË TË HYJË NË TREG.
Shqipëria e re ka nevojë për arkitektët e saj, inxhinierët e saj, restauratorët e saj dhe studentët e saj më të mirë.
Nuk mund t’i mbajmë të rinjtë jashtë tregut dhe pastaj të ankohemi pse ata largohen nga Shqipëria.
HAPNI TREGUN.
HAPNI KONKURRENCËN.
HAPNI DYERT PËR PROFESIONISTËT SHQIPTARË.
DHE LE TË FITOJË MË I MIRI.
Flamur Buçpapaj

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top