Kush do ta pasojë kryeprokurorin Olsian Çela? Përplasjet në KLP mbajnë peng garën

Procesi për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm vijon të mbetet në vendnumëro pasi Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP ka dështuar që gjatë shtatë mbledhjeve plenare të zhvilluara prej 28 gushtit, të shqyrtojë kërkesën e dy kandidatëve për përjashtimin e dy anëtarëve të këtij këshilli nga procedura e përzgjedhjes.

Procedura për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm u fut në ngërç pas kërkesës së kandidatit Ylli Pjetërnikaj për përjashtimin e anëtarit Vatë Staka nga procesi i vlerësimit të aplikantëve, me pretendimin se ndodhet në kushtet e konfliktit të interesit. Kërkesa e Pjetërnikajt u pasua nga një seri kërkesash të anëtarëve të KLP-së për përjashtimin e njëri-tjetrit, duke e bërë të pamundur në disa mbledhje krijimin e kuorumit të nevojshëm për vendimmarrje.

Shqyrtimi kërkesave për përjashtim mes anëtarëve u përmbyllën në mbledhjen plenare të premten, më 2 tetor, kur me shumicën e votave, u pranua kërkesa e anëtarit Vatë Staka për përjashtimin e kolegut Zeqir Hoda nga shqyrtimi kërkesës së Pjetërnikës, si dhe nga procedura e përzgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm.

Përveç Pjetërnikës që kërkon përjashtimin e Stakës nga procedura e përzgjedhjes, edhe kandidatja Arta Marku kërkon të njëjtën gjë për anëtarin Sokol Stojani. Këshilli njoftoi se mbledhja e radhës kur pritet të shqyrtohen këto kërkesa, do të zhvillohet më datë 7 tetor.

Situata e krijuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë në procedurën e përzgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm, ka ngritur shqetësime tek trupa e prokurorëve.

“Shoqata e Prokurorëve vlerëson se situata e krijuar është shqetësuese dhe kërkon marrjen e masave të përshtatshme, në përputhje me kuadrin kushtetues dhe ligjor, pa vonesa të mëtejshme. Kërkesat për përjashtim duhen shqyrtuar me seriozitet, sepse paanshmëria është kusht thelbësor për besueshmërinë e procesit. Por kjo garanci procedurale nuk duhet të shndërrohet në një cikël kërkesash të ndërsjella që paralizon vendimmarrjen e KLP-së”, vërejti Shoqata e Prokurorëve, bazuar në pyetjet që BIRN i drejtoi lidhur me situatën e krijuar në KLP.

Sipas shoqatës, tejkalimi i afateve dhe bllokimi i procedurës cenojnë rregullsinë dhe besueshmërinë e procesit të përzgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm. Po ashtu, nënvizohet se mandati i përcaktuar i këtij funksioni kërkon që KLP të veprojë në kohë dhe me përgjegjësi, duke zgjidhur kërkesat për përjashtim përmes vendimeve të arsyetuara dhe transparente.

“Pa paragjykuar themelin e kërkesave, zgjatja e këtij ngërçi dëmton autoritetin e KLP-së, funksionimin normal të sistemit prokurorial, si dhe besimin e opinionit publik te sistemi i drejtësisë në tërësi. KLP ka përgjegjësinë të sigurojë një proces njëkohësisht të paanshëm dhe funksional, i cili nuk mund të mbetet peng i mosmarrëveshjeve të brendshme. Edhe prokurorët presin që Këshilli të kapërcejë ngërçin dhe të garantojë vijimin e procedurës, në respekt të plotë të ligjit”, përfundon Shoqata e Prokurorëve.

Si pasojë e këkresave të njëpasnjëeshme mes anëtarëve për përjashtimin e tyre, u tejkaluan afatet e procedurës së verifikimit të kandidatëve. Në mbledhjen e datës 18 shtator, në tejkalim të këtij afati, këshilli ra dakord që administrata t’i dërgonte Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI, deklaratat e pasurisë së pesë kandidatëve për verifikim.

Mandati 7-vjeçar i Prokurorit të Përgjithshëm aktual, Olsian Çela përfundon më 7 dhjetor. Sipas përcaktimeve kushtetuese, Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me tre të pestat e anëtarëve të Kuvendit, mes tre kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për një mandat 7-vjeçar dhe pa të drejtë riemërimi. Po ashtu, në Kushtetutë përcaktohet se një prej rasteve kur përfundon mandati i Prokurorit të Përgjithshëm, është kur i përfundon mandati 7-vjeçar, ç’ka e bënë të pamundur që kryeprokurori aktual të vijojë të qëndrojë në detyrë jashtë mandatit, nëse nuk është përzgjedhur ende pasuesi i tij.

Pesë kandidatët që janë në garë për një mandat shtatëvjeçar si Prokuror i Përgjithshëm janë: prokurori i SPAK, Adnan Xholi; ish-Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku, aktualisht prokurore pranë Prokurorisë së Apelit Tiranë; prokurorja pranë Eurojust, Fatjona Memçaj; prokurorja e Tiranës, Rovena Zoto; si dhe prokurori Ylli Pjetërnikaj, aktualisht pedagog i brendshëm pranë Shkollës së Magjistraturës. /Birn

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top