Inter, Mourinho e karriera në futboll, ish-trajneri i Tiranës Ze Maria: “Ishte një gjarpër që ha gjarpër”

Ze Maria, 53 vjeç, është një trajner në pritje të një oferte, pasi një vit më parë përfundoi eksperienca e tij në Serie D te Olbia, ku kishte mbërritur në javën e 12-të me skuadrën në kuotën e vetëm 6 pikëve dhe arriti të siguronte mbijetesën duke e çuar në 42 pikë. Braziliani është i njohur mbi të gjitha në vendin tonë për aventurën e tij në pankinën e Tiranës, të cilën e drejtoi kur ite në Kategorinë e Parë, duke arritur promocionin.

“Unë them gjithmonë se do të doja të nisja një punë të qetë, të paktën të mund ta përgatis gjithçka vetë”, shpjegon ai, duke u propozuar jo si një “arnim” për diçka që po shkon keq, por si një trajner që mund dhe dëshiron të nisë një sezon. “Deri tani ka shkuar mirë, falënderoj, por do të ishte bukur të nisja një punë nga e para”.

Në bisedën me podcastin “DoppioPasso”, braziliani flet kryesisht për karrierën e tij si futbollist, duke e përshkruar kulmin e arritur me Interin si mbërritjen në një realitet ku “gjarpri ha gjarprin” dhe duke treguar për “trajtimin” që José Mourinho i rezervonte Mario Balotellit.

Ishte viti 2004, pasi ishte afirmuar te Perugia e teknikut Cosmi si një prej mbrojtësve të djathtë më të mirë të Serie A, Ze Maria, në moshën 31-vjeçare, mbërrin te një Inter që po përgatitej të hapte ciklin që do të kulmonte me Tripletën e teknikut Mourinho gjashtë vite më vonë. Lojtari brazilian do të qëndronte aty vetëm dy vite, pikërisht ato që do të shihnin shpërthimin e çështjes Calciopoli: “Unë them gjithmonë se ai grup filloi të fitonte dhe përfundoi te Tripleta, kur ishim pak a shumë i njëjti grup që nisi në vitin 2004 dhe përfundoi në vitin 2010, kur shumë prej tyre u larguan në ato vite. Arritëm me atë grup, fituam menjëherë Kupën e Italisë, të cilën nuk e kishin fituar prej shumë vitesh, me lojtarë të rëndësishëm që kishin kaluar në Milano: Ronaldo, Seedorf, Pirlo, shumë lojtarë jashtëzakonisht të rëndësishëm kishin kaluar aty pa fituar asgjë. Fituam Kupën e Italisë, Superkupën e Italisë, më pas Kupën e Italisë një vit më vonë dhe titullin e vitit 2006, atë të famshmin e Calciopolit. Unë e konsideroj timin, sepse kështu është”.

Ze Maria mbërrin te Interi dhe lufton për të gjetur hapësirë

Në atë moment Ze Maria ishte tashmë një futbollist me shumë përvojë në nivelin më të lartë, edhe me Brazilin, por te Interi iu desh gjithsesi të përshtatej duke e ngritur shumë lart standardin, thjesht sepse nuk kishte zgjedhje nëse donte të afirmohej si në vitet e mëparshme: “Unë e dua Peruxhian, por dy ambientet nuk mund të krahasohen. Njëri lufton për mbijetesën, që gjithsesi është një titull kur e arrin, tjetri lufton për të fituar Champions League. Në botën e futbollit janë dy gjëra shumë të largëta. Kështu, te Perugia isha një pikë referimi, ndërsa te Interi bëhem një si gjithë të tjerët. Janë gjëra që ndryshojnë shumë. Unë them se te Perugia ishim një lloj familjeje që ndihmonim gjithmonë njëri-tjetrin, ndërsa kur hyn në një ambient si ai i Interit, Juventusit, Milanit, unë them se është një gjarpër që ha një tjetër gjarpër. Kështu që duhet të përpiqesh të mbijetosh, të japësh më të mirën, të bësh maksimumin, të ndihmosh skuadrën. Dhe çdo ditë duhet të jesh i kujdesshëm, sepse është dikush që dëshiron të të marrë vendin”.

Stazhi me Special One: trajtimi që i rezervonte Balotellit

Ish-mbrojtësi, i cili në Itali ka luajtur edhe me Parmën, u tërhoq nga futbolli në vitin 2009, duke përqafuar menjëherë një karrierë të dytë si trajner. Dhe cili mund të ishte fillim më i mirë se një stazh pikërisht te Interi, për të parë metodat e Jose Mourinho në sezonin që do të kulmonte me Tripletën historike: “Kam qenë një javë aty me të, kam parë mënyrën se si e menaxhonte skuadrën, sepse ishte koha kur Balotelli po dilte në pah në një skuadër ku ishin Milito, Eto’o, Sneijder, kishte disa fenomene dhe Balotelli kërkonte hapësirë. Dhe kam parë një situatë ku Balotelli po provonte goditjet e dënimit dhe Mourinho i thoshte: ‘Kot që stërvitesh, Sneijder nuk do të të lërë kurrë t’i gjuash’. Dhe në një tjetër stërvitje Balotelli ngre zërin, ai ndërpret stërvitjen dhe i thotë të heshtë, sepse përndryshe do ta largojë.

Domethënë, ky është Mourinho dhe më pas e trajton si djalin e tij. Ai e ka trajtuar atë grup si fëmijët e tij, të cilët kanë dhënë maksimumin. Nëse shkon dhe i pyet ata lojtarë, do të thonë se trajneri më i mirë i jetës së tyre ka qenë Mourinho”.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top