Futbolli shkodran në zi, ndahet nga jeta legjenda e Vllaznisë Ismet Hoxha

Ismet Hoxha është ndarë nga jeta në moshën 78-vjeçare pas një infarkti. Ish-futbollisti i Vllaznisë dhe Partizanit la pas një karrierë të gjatë si lojtar, trajner dhe drejtues, ndërsa në vitin 2022 u nderua me titullin “Mjeshtër i Madh”.

Futbolli shkodran ka humbur një prej emrave që lidhi pjesën më të madhe të jetës me Vllazninë. I lindur në Shkodër më 23 mars 1948, Hoxha hodhi hapat e parë në futboll me ekipet e moshave të Vllaznisë.

Më pas kaloi te Partizani, ku në vitin 1968 fitoi Kupën e Republikës. Në atë edicion ai shënoi 7 gola dhe u shpall golashënuesi më i mirë i kompeticionit.

Dy vite më vonë u kthye në Shkodër dhe veshi përsëri fanellën kuqeblu. Me Vllazninë luajti deri në vitin 1977, duke fituar dy tituj kampionë dhe një Kupë Republike. Gjatë kësaj periudhe u bë një nga sulmuesit kryesorë të skuadrës shkodrane.

Karriera e tij e çoi edhe te Kombëtarja shqiptare, me të cilën regjistroi tri ndeshje. Për disa vite Hoxha mbajti gjithashtu shiritin e kapitenit të ekipit Shpresa, që u shpall dy herë nënkampion i Ballkanit.

Ekipi kampion i vajzave të Vllaznisë tërhiqet nga kampionati/ Presidenti: Shkak përplasjet me FSHF
Por largimi nga fusha nuk e largoi nga Vllaznia. Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Hoxha punoi me ekipet e moshave të klubit.

Në vitin 2000 drejtoi ekipin e të rinjve drejt titullit kampion, ndërsa gjatë punës së tij kontribuoi në formimin e futbollistëve që më pas kaluan te skuadra e parë e Vllaznisë dhe te ekipet kombëtare.

Hoxha mbajti edhe detyra drejtuese pranë klubit shkodran, duke e shtrirë aktivitetin e tij te Vllaznia nga fusha e lojës te pankina dhe administrimi i klubit.

Në vitin 2022, Presidenti i Republikës e nderoi me titullin “Mjeshtër i Madh”, si vlerësim për kontributin e tij në futboll.

Me vdekjen e Ismet Hoxhës mbyllet një rrugëtim që nisi tek ekipet e moshave të Vllaznisë dhe vazhdoi për dekada me klubin shkodran, fillimisht si futbollist, më pas si trajner dhe drejtues.

Njoftimi i Vllaznisë:

KF Vllaznia shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta në moshën 78 vjeçare të Ismet Hoxhës, i cili ka dhënë një kontribut të madh për fanellën kuqeblu fillimisht si futbollist, më pas si trajner i suksesshëm me ekipet e moshave dhe po ashtu edhe si drejtues klubi.

Përpos karrierës me Vllazninë, ka luajtur me sukses edhe për Partizanin, Luftëtarin dhe kombëtaren shqiptare duke qenë një nga sulmuesit më të mirë të vendit në vitet ’60- ’70.

Homazhet në nderim të tij do të zhvillohen ditën e premte, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, në hollin e stadiumit “Loro Boriçi”.

I përjetshëm qoftë kujtim yt Ismet Hoxha!

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top