SHBA’ja tërhiqet përfundimisht nga Iraku pas përfundimit të misionit, por jo nga lufta kundër ISIS’it

Shtetet e Bashkuara kanë përfunduar tërheqjen e trupave dhe pajisjeve të tyre nga Baza Ajrore e Erbilit, në veri të Irakut.

Lajmi është bërë i ditur të mërkurën nga Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM).

Sipas CENTCOM-it, largimi nga baza shënon edhe përfundimin e misionit amerikan “Operacioni Inherent Resolve” në Irak.

Tërheqja është pjesë e një plani të dakorduar mes SHBA-së dhe Irakut, me qëllim që të dy vendet të kalojnë në një marrëdhënie të re dhe më të drejtpërdrejtë të mbrojtjes.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se SHBA-ja po largohet plotësisht nga lufta kundër ISIS-it.

Misioni i koalicionit vazhdon nga Jordania, ndërsa forcat amerikane vazhdojnë operacionet kundër ISIS-it në Siri, së bashku me partnerët e koalicionit dhe qeverinë siriane.

Komandanti i CENTCOM-it, admirali Brad Cooper, tha se forcat irakiane tashmë kanë kapacitetin për t’u përballur vetë me kërcënimet e sigurisë.

“Falë vendosmërisë, sakrificës dhe profesionalizmit tuaj, ISIS nuk përbën më një kërcënim sistemik për sigurinë kombëtare të Irakut”, tha Cooper.

Ai përmendi edhe forcat Peshmerga dhe forcat e tjera të sigurisë në Rajonin e Kurdistanit të Irakut.

Sipas tij, këto forca tashmë kanë kapacitetin dhe pavarësinë e nevojshme për t’i menaxhuar vetë kërcënimet ndaj vendit.

Cooper tha se SHBA-ja po ia dorëzon përgjegjësinë kryesore për sigurinë e Irakut qeverisë dhe forcave të këtij vendi.

“Ndërsa bëjmë një hap prapa dhe ia dorëzojmë të gjithë përgjegjësinë kryesore për sigurinë e Irakut Qeverisë së Irakut dhe popullit të guximshëm të Irakut, forcat amerikane dhe të koalicionit të stacionuara në të gjithë rajonin do të mbeten të gatshme për t’iu përgjigjur çdo kërcënimi të ISIS-it që lind”, tha ai.

Sipas Cooper, SHBA-ja do të vazhdojë të jetë e gatshme për çdo kërcënim të mundshëm nga ISIS-i.

“Ruajtja e vigjilencës dhe gatishmërisë sonë është thelbësore për të mbrojtur atdheun e SHBA-së dhe për të forcuar sigurinë rajonale”, tha komandanti i CENTCOM-it.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top