Autorët u paraqitën si Taulant Balla: Si u tentua zhvatja e Armand Dukës për 100 mijë euro

Dy të rinj janë arrestuar në kuadër të një operacioni të zhvilluar në Tiranë, pas dyshimeve se kanë tentuar t’i marrin 100 mijë euro kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, duke u prezantuar në aplikacionin Signal si deputeti socialist Taulant Balla.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, autorët fillimisht i kanë kërkuar Dukës që shumën ta dërgonte në kriptomonedha, ndërsa më pas është dakordësuar që paratë të dorëzoheshin në euro.

Denoncimi është bërë nga vetë Armand Duka, i cili dyshoi se po përballej me një mashtrim.

Sipas burimeve, personat që komunikonin me të i janë prezantuar si Taulant Balla dhe i kanë kërkuar që paratë t’i dërgonte në një adresë të caktuar, duke pretenduar se ishin persona të njohur të Ballës.

Gjatë komunikimit, Duka u ka thënë se për çështjen e kriptomonedhave duhej të kontaktonin djalin e tij, pasi ai vetë nuk merrej me këto transaksione.

Agjenti i infiltruar u prezantua si djali i Dukës

Policia ka përdorur më pas një agjent të infiltruar, i cili ka komunikuar me dy të dyshuarit duke u prezantuar si djali i Dukës.

Sipas të dhënave të bëra publike, agjenti u ka komunikuar se paratë nuk mund të dorëzoheshin në kriptomonedha, por do të jepeshin cash.

Takimi për dorëzimin e shumës është zhvilluar në Elbasan, ku jetonin dy të arrestuarit. Në momentin e dorëzimit të parave, agjentët e policisë kanë ndërhyrë dhe kanë bërë arrestimin në flagrancë.

Pas arrestimit, dy të rinjtë dyshohet se nuk kanë dhënë deklarime të hollësishme për policinë lidhur me personat që mund të fshihen pas skemës.

Sipas burimeve të grupit hetimor, dyshimet kryesore janë përqendruar te Florian Gjergji. Megjithatë, ky është një element i hetimit dhe mbetet për t’u provuar nga autoritetet përkatëse.

Hetimet vijojnë për të zbardhur të gjithë mekanizmin e mashtrimit, identitetin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë dhe nëse dy të arrestuarit kanë vepruar të vetëm apo në bashkëpunim me persona të tjerë.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top