Shirat e rrëmbyeshëm dhe rrëshqitjet e dheut kanë shkaktuar të paktën 56 viktima në Indi dhe 12 në Nepal gjatë ditëve të fundit. Në shtetin indian të Uttar Pradesh, reshjet e dendura kanë shkaktuar dëme të mëdha, përfshirë dëmtimin e më shumë se 1,000 shtëpive dhe të kulturave bujqësore. Mediat shkruajnë se autoritetet thonë se reshjet janë intensifikuar nga një zonë me presion të ulët që u zhvendos nga Gjiri i Bengalit drejt brendësisë së vendit.
Në Odisha, mbi 70,000 banorë të zonave të ulëta janë evakuuar pasi lumenjtë kanë dalë nga shtrati. Reshjet kanë dëmtuar gjithashtu ura dhe kanë detyruar autoritetet të mbyllin disa zona turistike. Situata është e rënduar edhe në Nepal, ku përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut kanë shkaktuar 12 viktima dhe kanë lënë shtatë persona të zhdukur.