Ambasada amerikane njoftoi përmes një publikimi në Facebook dorëzimin e letrave kredenciale nga ambasadori Eric Wendt te Presidenti Bajram Begaj, duke shënuar kështu nisjen e misionit të tij diplomatik në Shqipëri.
“Mirë se vjen, Ambasador Wendt! Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, i paraqiti letrat kredenciale Presidentit Bajram Begaj. Ambasadori Wendt dhe Presidenti Begaj riafirmuan partneritetin e fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe diskutuan për çuarjen përpara të përparësive të administratës së Presidentit Donald J. Trump, përfshirë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, rritjen ekonomike dhe luftën kundër grupeve kriminale transnacionale”, thuhet në mesazh.
Pa kaluar 24 orë nga mbërritja në Rinas, paraditen e së shtunës, Wendt mbërriti te Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, të shtunën në mëngjes.
Pas ceremonisë së zhvilluar në ambientet e Pallatit të Brigadave, Wendt zhvilloi një takim kokë më kokë me Presidentin Begaj. Takimi, sipas burimeve, zgjati gati një orë, ndërsa nuk u bënë të ditura temat e diskutuara.
Diskutimi mes Wendt dhe Begajt vjen dy ditë para mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të thirrur nga Presidenti për shkak të situatës së krijuar pas vendimit për lënien në “arrest shtëpie” të ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni.