Policia e Shtetit ka marrë masat për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes mes Shqipërisë dhe Bjellorusisë, e cila do të zhvillohet mbrëmjen e sotme në stadiumin “Air Albania”, në orën 20:45. Për shkak të fluksit të tifozëve, nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes do të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve në disa akse rrugore pranë stadiumit.
Rrugët që do të bllokohen janë: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga fast food-i “Laguna”, pranë urës së ish-Hotel Dajtit; Rruga “Papa Gjon Pali II”, te kryqëzimi i RTSH-së; Rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së; Rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
Rruga “Themistokli Gërmenji”, në hyrje; Rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i RTSH-së; Rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës, ku do të lejohet vetëm kalimi i mjeteve të autorizuara nga FSHF-ja; Rruga “Abdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar;
Te sheshi “Willson”, ku lëvizja do të devijohet në drejtim të rrugës “Sami Frashëri”, pak para përfundimit të ndeshjes. Ndërkohë, Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të jenë të lira për qarkullimin e mjeteve. Policia njofton gjithashtu se tifozët do t’i nënshtrohen kontrolleve të imtësishme para hyrjes në stadium.
Në ambientet e stadiumit nuk do të lejohet futja e banderolave me përmbajtje raciste, fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve dhe sendeve të tjera të forta apo të rrezikshme.