Ujësjellësit, BB: Ngecin planet e biznesit, vonesa edhe te raportimi për mashtrim dhe korrupsion

Banka Botërore e vlerëson si “mesatarisht të kënaqshëm” zbatimin e programit për modernizimin e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve në Shqipëri, por raporti i saj i fundit evidenton vonesa në planet e biznesit të ndërmarrjeve, mekanizmat e investimeve dhe raportimin për pretendimet për mashtrim dhe korrupsion.

Raporti e mban në 0% treguesin e ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve që kanë dorëzuar plane biznesi në ERRU për miratim, kundrejt një objektivi fillestar prej 60%.Matja e shënuar në tabelë për këtë tregues është e shtatorit 2022. Banka sqaron se metodologjia u miratua nga ERRU në nëntor 2025 dhe se, pas rishikimit afatmesëm, objektivi përfundimtar do të ulet në 40% “për të marrë parasysh vonesat në miratimin e saj”.

Në 0% figuron edhe treguesi për përqindjen e ndërmarrjeve që marrin alokime investimesh bazuar në kriteret e pranueshmërisë dhe performancës. Raporti thotë se përshkrimi dhe objektivi përfundimtar i këtij treguesi do të rishikohen dhe se, pas agregimit, të paktën një ndërmarrje rajonale e ujësjellësit duhet ta përmbushë objektivin. Një tjetër vonesë lidhet me mekanizmin për mbledhjen e informacionit mbi “pretendimet e besueshme dhe materiale për mashtrim dhe korrupsion” në kuadër të programit, masat e marra ose në proces dhe raportimin e tyre te Banka Botërore. Përgjegjësia i është caktuar Ministrisë së Drejtësisë dhe raportimi është parashikuar çdo vit. Në dokument, Banka shkruan se “aktiviteti në tërësi është i vonuar, në pritje të miratimit të Ministrisë së Drejtësisë”. Raporti nuk identifikon në këtë pjesë raste konkrete korrupsioni dhe konstatimi i tij është për vonesën e mekanizmit të raportimit.

Treguesit e furnizimit me ujë paraqesin gjithashtu boshllëqe ndaj objektivave. Numri i zonave urbane me të paktën 18 orë furnizim me ujë mbetet 15, sipas matjes së shënuar për shtatorin 2022, kundrejt objektivit prej 35 deri në dhjetor 2027. Ndërkohë, 29% e ndërmarrjeve rezultonin në dhjetor 2025 se përmbushnin të paktën 75% të objektivave të marrëveshjeve të performancës, kundrejt objektivit fillestar prej 90%. Pas rishikimit afatmesëm është rënë dakord që indikatori të ndryshojë, duke kërkuar përmbushjen e të paktën 50% të objektivave, ndërsa objektivi përfundimtar do të jetë 50% e ndërmarrjeve.

Për familjet vulnerabël, raporti shënon 104 lidhje të reja funksionale që ofrojnë shërbim të sigurt dhe të besueshëm me ujë, me matje të shtatorit 2022, kundrejt objektivit prej 3,000 deri në dhjetor 2027. Në treguesin më të gjerë, 5,342 persona rezultojnë se kanë përfituar akses në burime të përmirësuara uji, me të dhënat e fundit të korrikut 2025, kundrejt objektivit 40,000. Në zonat rurale shifra është 5,342 kundrejt objektivit 32,000, ndërsa për zonat urbane raporti shënon zero, kundrejt objektivit 8,000.

Raporti evidenton ecuri më të mirë në performancën financiare. Treguesi kombëtar për mbulimin e kostove direkte operative arriti 109.6 në mars 2026. Banka e lidh përmirësimin me rritjen e të ardhurave nga shitjet dhe tarifat, përmirësimin e faturimit, administrimit të klientëve dhe arkëtimeve.

Dokumenti vëren gjithashtu se baza e këtij treguesi duhet të rishikohet në 94.6, pas verifikimit të vitit 2022, me objektiv përfundimtar 104.6. Disa ndërmarrje kanë përmirësuar gjithashtu kontrollin e kostove të energjisë, personelit dhe mirëmbajtjes.Janë kryer edhe 12 auditime të eficiencës energjetike në pesë ndërmarrje rajonale, që mbulojnë 23 bashki; raporti e konsideron këtë objektiv të arritur dhe të tejkaluar. Sistemi i ri i monitorimit dhe krahasimit të performancës është gjithashtu ngritur dhe funksionon.

Programi Kombëtar për Modernizimin e Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Kanalizimeve në Shqipëri u miratua në maj 2022 dhe synon të përmirësojë performancën operative dhe financiare të ndërmarrjeve dhe të zgjerojë aksesin në shërbime të furnizimit me ujë të menaxhuara në mënyrë të sigurt.

Në miratim, Banka Botërore e strukturoi financimin me një hua prej 75 milionë dollarësh dhe një grant prej 6.3 milionë dollarësh. Huaja është pjesë e një programi prej 135 milionë dollarësh të bashkëfinancuar nga qeveria shqiptare. Në raportin aktual, vlera e huasë figuron e rishikuar në 78.27, me 35.88 të disbursuara, ose 45.84%, ndërsa nga granti janë disbursuar 2.19, ose 34.76%. Projekti pritet të mbyllet në fund të vitit 2027./ Monitor

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top