Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) firmosi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për drejtoreshën e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Vlora Hyseni në kuadër të hetimeve për dosjen e AKSHI-t. Vlora Hyseni dyshohet për dy vepra penale, përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të sekretit shtetëror. Gjatë kontrolleve të ushtruara ditën e sotme nga SPAK, ajo nuk është gjetur në banesë. Sipas të dhënave Hyseni ndodhet në Baku të Azerbaxhanit, në një konferencë me 82 shefash shërbimesh Informative nga bota.
Po ashtu, krahas masës “arrest në shtëpi”, ajo është pezulluar edhe nga detyra. Në kuadër të operacionit, u kryen kontrolle edhe në banesën e ish kreut të Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Bëhet fjalë për një operacion që është ende në zhvillim e sipër, ndërsa raportohet edhe për zyrtarë të tjerë të përfshirë. Operacioni i ri nga SPAK vjen disa javë pas arrestimit të Ergys Agasit, i konsideruar bashkë me Ermal Beqirin si personat kyç të aferës AKSHI. Agasi, i cili u arrestua në Durrës, dhe Ermal Beqiri që u kap disa javë më parë në Francë, akuzohen se kanë vepruar si një grup i strukturuar kriminal, bashkë me të pandehurit e tjerë të aferës AKSHI, përfshirë ish drejtuesen Mirlinda Karçanaj dhe persona të tjerë.