Një zjarr i fuqishëm pyjor ka përfshirë më shumë se 2 mijë hektarë në Andet qendrore të Kolumbisë, duke iu afruar Villa de Leiva-s, një prej destinacioneve më të njohura turistike të vendit.
Zjarri shpërtheu të shtunën, në një zonë pyjore dhe u përhap me shpejtësi në shpatet përreth Villa de Leiva-s, një qytezë e njohur për arkitekturën e saj koloniale. Flakët janë parë edhe nga sheshi qendror i qytetit, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll vatrat e zjarrit.
250 zjarrfikës dhe banorë në terren
Rreth 250 zjarrfikës dhe banorë janë angazhuar në operacionet për shuarjen e flakëve. Në përpjekjet për frenimin e zjarrit janë përfshirë edhe helikopterë ushtarakë, ndërsa përforcime të ekipeve zjarrfikëse janë dërguar nga kryeqyteti Bogota.
Autoritetet kanë nisur gjithashtu evakuimin e banorëve dhe turistëve nga një hotel i vendosur në një shpat mali, pasi flakët po afroheshin me shpejtësi drejt zonës. Presidenti i Kolumbisë, Abelardo de la Espriella, tha se të gjitha kapacitetet e disponueshme të shtetit do të mobilizohen për përballimin e situatës.
“Villa de Leiva nuk është vetëm”, deklaroi ai, duke theksuar se autoritetet do të përdorin të gjitha mjetet në dispozicion për të mbrojtur banorët, trashëgiminë historike dhe pasuritë natyrore të rajonit.