Shtetet e Bashkuara dhe Danimarka kanë arritur një marrëveshje të re për sigurinë e Grenlandës, në përpjekje për të zbutur tensionet e krijuara pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump për marrjen e territorit.
Trump tha se marrëveshja i jep Uashingtonit rol të përhershëm në çështjet e sigurisë së Grenlandës dhe mundësi për të ndërmarrë masat që i konsideron të nevojshme për mbrojtjen e saj. Ai deklaroi gjithashtu se marrëveshja nuk do t’i kushtojë SHBA-së.
Kryeministrja daneze Mette Frederiksen konfirmoi dakordësinë, duke thënë se ajo synon të rrisë sigurinë në Arktik dhe në Atlantikun e Veriut. Ajo theksoi se marrëveshja respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Mbretërisë së Danimarkës, si dhe të drejtën e banorëve të Grenlandës për vetëvendosje.
Sipas Trumpit, dokumenti parashikon kufizime për praninë ushtarake dhe investimet strategjike të shteteve rivale në Grenlandë, të cilat do të kërkonin miratimin e SHBA-së.
Marrëveshja pritet të nënshkruhet gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara javën e ardhshme. Detajet e plota të saj ende nuk janë bërë publike.