Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën kundër rregullores së re të GJKKO-së, duke kërkuar fillimisht pezullimin e saj dhe më pas shfuqizimin e pjesës që lidhet me mediat dhe gazetarët. Padia vjen pas kundërshtimeve të vazhdueshme nga gazetarët dhe organizatat e medias ndaj rregullave të reja të Gjykatës së Posaçme.
AGSH ka argumentuar se disa prej dispozitave të rregullores kufizojnë punën e gazetarëve gjatë ndjekjes së seancave gjyqësore dhe cenojnë aksesin në informacion. Asociacioni kërkon që rregullorja të pezullohet deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese.
Kreu i AGSH-së, Isa Myzyri, deklaroi se kjo rregullore cënon punën e gazetarëve. “Ajo rregullore cënon punën e gazetarëve. Janë një sërë argumentesh që ekipi ligjor ta sjellë këtë rregullore në Kushtetuese. Më lejoni të shpreh zhgënjimin e thellë për GJKKO, që të krijonte kushte më të mira pune për gazetarët. Tani nuk është në pikëpyetje e drejta e gazetarëve, por e drejta e qytetarëve. Kjo është një këmbëngulje e madhe e gazetarëve, sidomos atyre që mbulojnë kronikën e zezë. Ata e kanë shtyrë këtë aksion ligjor pranë Gjykatës Kushtetuese.”, tha ai.
Rregullorja e re e GJKKO-së ka hyrë në fuqi më 1 shtator. Ndër masat e kundërshtuara nga gazetarët është ndalimi i përdorimit të celularëve gjatë seancave, ndërsa nuk lejohet as regjistrimi audio nga ana e gazetarëve. Po ashtu, janë kundërshtuar procedurat e akreditimit dhe kërkesat për ndjekjen e seancave.
Sipas AGSH-së, këto kufizime prekin drejtpërdrejt mënyrën se si gazetarët raportojnë nga një prej institucioneve më të rëndësishme të drejtësisë në vend. Përfaqësuesit e gazetarëve pritet të kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese që të vlerësojë përputhshmërinë e këtyre dispozitave me Kushtetutën dhe të vendosë për pezullimin e tyre deri në përfundimin e shqyrtimit të çështjes. Kundërshtimet ndaj rregullores janë shtuar që prej publikimit të saj në fund të korrikut, ndërsa GJKKO e ka vënë atë në zbatim nga 1 shtatori.