Kuvendi i Kosovës do të vijojë sot punimet e seancës konstituive të Legjislaturës së 11-të, me synimin për të përmbyllur procesin e konstituimit të institucionit ligjvënës.
Seanca do të nisë në orën 11:00, ndërsa pika e vetme e rendit të ditës është zgjedhja e pesë nënkryetarëve të Kuvendit.
Për këto poste tashmë janë propozuar kandidatët nga subjektet politike dhe komunitetet joshumicë. Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Ardian Golën, PDK-ja Vlora Çitakun, ndërsa LDK-ja Kujtim Shalën.
Nga komuniteti serb, Lista Serbe ka propozuar Slavko Simiqin, ndërsa për komunitetet e tjera joshumicë është propozuar Emilia Rexhepi.
Në vazhdimin e seancës të mërkurën, Albulena Haxhiu u zgjodh kryetare e Kuvendit, me 62 vota pro, 16 kundër dhe 13 abstenime, nga 102 deputetë të pranishëm.
Pas zgjedhjes së saj, Kuvendi kaloi në procedurën për zgjedhjen e nënkryetarëve, por partitë politike nuk arritën marrëveshje për mënyrën e votimit.
Debate pati edhe gjatë propozimit të kandidatit të Listës Serbe. Deputeti Igor Simiq e paraqiti Slavko Simiqin si kandidat “në emër të popullit serb”, formulim që u kundërshtua nga kryetarja e Kuvendit.
Haxhiu kërkoi që Simiq ta tërhiqte këtë deklaratë dhe propozimin ta paraqiste duke iu referuar Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit. Simiq nuk e tërhoqi deklaratën, ndërsa Haxhiu ndërpreu fjalën e tij.
Në mungesë të dakordimit për procedurën e votimit, punimet u ndërprenë dhe u vendos që seanca të vazhdonte sot.
Zgjedhja e nënkryetarëve mbetet hapi i fundit për përfundimin e seancës konstituive të Legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës.