Të rinjtë ikin, por dhe ata që mbeten nuk kanë ku punojnë, papunësia e tyre rritet 16%

Shqipëria po humbet popullsi dhe veçanërisht të rinj, por tkurrja e kësaj grup-moshe nuk po shoqërohet me një lehtësim të tregut të punës. Përkundrazi, të dhënat më të fundit të INSTAT tregojnë se numri i të papunëve 15-29 vjeç është rritur me ritme dyshifrore gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, ndërsa punësimi i tyre ka rënë.

Më 1 janar 2026, popullsia banuese e Shqipërisë zbriti në 2,335,930 rreth 27.4 mijë banorë më pak se në 1 janar 2025. Tkurrja është më e dukshme te moshat e reja, ku ndërmjet vitit 2022 dhe janar 2026 kishte të rinjtë në grup-moshën 15-29 vjeç u tkurren me 62 mijë persona ose 13.4%.

Por, teksa numri i të rinjve po bie, numri i atyre që kërkojnë punë dhe nuk e gjejnë atë po rritet. Sipas të dhenavë të INSTAT, në tremujorin e dytë të vitit 2026 kishte 36.7 mijë të papunë të moshës 15-29 vjeç, nga 31.6 mijë në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Brenda një viti janë shtuar mbi 5 mijë të rinj të papunë, ose 16.1%.

Në të njëjtën kohë, numri i të rinjve të punësuar ra nga 177.4 mijë në 170.3 mijë persona, ose me rreth 7 mijë të punësuar, apo 4% më pak. Forca e punës 15-29 vjeç, që përfshin të punësuarit dhe të papunët, zbriti lehtë nga 209 mijë në 207 mijë persona.

Llogaritjet mbi të dhënat e INSTAT tregojnë se shkalla e papunësisë tek të rinjtë u rrit në rreth 17.7% në tremujorin e dytë 2026, nga 15.1% një vit më parë, një përkeqësim me rreth 2.6 pikë përqindjeje.

Ecuria e të rinjve bie në kontrast me pjesën tjetër të tregut të punës. Numri i përgjithshëm i të papunëve në vend u ul me 4.2% në një vit, në 104.6 mijë persona. Te grup-mosha 30-64 vjeç, numri i të papunëve ra me 12.1%, ose rreth 9.2 mijë persona. Vetëm te të rinjtë tendenca ishte në drejtim të kundërt.

Si rrjedhojë, të rinjtë po zënë një pjesë gjithnjë e më të madhe të të papunëve në vend. Në tremujorin e dytë 2025, 15-29-vjeçarët përbënin rreth 29% të të papunëve gjithsej, por një vit më vonë pesha e tyre u ngjit në rreth 35%.

Tregu i punës në vendin tonë nuk ka qenë historikisht tërheqës për të rinjtë, mirëpo së fundmi kushtet janë vështirësuar më tej. Sistemi arsimor duket se nuk prodhon profilet që kërkojnë bizneset aktuale. Ka një mbiprodhim të të diplomuarve në degë tradicionale dhe një mungesë të theksuar të specialistëve në fusha teknike, teknologji, apo zanate të specializuara që kërkohen nga sektori privat.

Largimi masiv i të rinjve, veçanërisht i atyre me arsim të lartë apo aftësi të mira, krijon një paqëndrueshmëri në treg. Ndërkohë, shumë të rinj që mbeten ose presin të largohen, ose janë në fazë tranzicioni duke kërkuar punë më të mira, por pa sukses afatgjatë./ Monitor

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top