Glorifikimi i Ratko Mlladiqit/ Marta Kos anulon vizitën në Serbi: E papajtueshme me vlerat e BE-së

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka anuluar vizitën e planifikuar në Serbi, pas reagimeve të forta lidhur me glorifikimin e kriminelit të luftës Ratko Mlladiq.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Kos rikujtoi se Mlladiqi është dënuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Ajo tha se kthimi i mbetjeve mortore të tij në Beograd i rikujton Evropës periudhat më të errëta të historisë së saj të afërt.

Komisionerja evropiane kritikoi veçanërisht nderimet dhe glorifikimin e figurës së Mlladiqit, duke theksuar se një qasje e tillë është e papajtueshme me vlerat mbi të cilat mbështetet rruga e Serbisë drejt Bashkimit Evropian.

Sipas Kos, integrimi evropian kërkon përballje me të kaluarën, pajtim të sinqertë dhe respekt për viktimat e krimeve të luftës.

“Vlerat që qëndrojnë në themel të së ardhmes sonë të përbashkët nuk janë të negociueshme”, shkroi Kos.

Në këto rrethana, ajo bëri të ditur se ka vendosur të mos e realizojë në këtë kohë vizitën e planifikuar në Serbi.

Ratko Mlladiqi, ish-komandant i forcave serbe të Bosnjës, u dënua me burgim të përjetshëm nga mekanizmi gjyqësor ndërkombëtar për krimet e kryera gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top